Republika e Kosoves

Gjilan

Haziri: Kujdesi qytetar dhe masat mbrojtëse, lufta më e mirë kundër Covid-19

2020/06/30 - 4:10

Pas takimit të mbajtur sot me Komitetin e emergjencave, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, apelon në vazhdimësi për kujdes maksimal të qytetarëve ndaj sëmundjes infektive Covid-19, e cila edhe më tutje është një armik i fsheht dhe i rrezikshëm për shëndetin publik dhe qytetarët në përgjithësi.

“Komiteti i emergjencave për menaxhimin e pandemisë, në takimin e rregullt ka bërë vlerësimin e gjendjes në 24 orët e fundit dhe konfirmohet se gjendja është nën kontrollë. Deri më tani Gjilani ka 169 persona që testi i tyre ka rezultuar pozitiv nga 1449 teste që janë bërë. Prej këtyre të dhënave zyrtare, kemi fatkeqësisht 3 të vdekur, 95 të shëruar dhe 71 raste aktive”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka potencuar se institucionet shëndetësore janë në kujdestari 24 orëshe për menaxhimin më të mirë të mundshëm të shëndetit publik dhe përballjen me pandeminë, për çka ka thënë se duhet ngritur edhe më tej vendosmëria qytetare për përdorim të masave mbrojtëse.

“Institucionet shëndetësore dhe emergjencat civile, po punojnë vazhdimisht në parandalimin e përhapjes së sëmundjes Covid-19 dhe kërkojmë që qytetarët të shtojnë kujdesin dhe të gjithë ata që kanë simptoma të lehta apo që dyshojnë në infektim me sëmundjen Covid-19, duhet të lajmërohen në institucionet shëndetësore për të hyrë në proces të testimit dhe diagnostifikimit si masë”, ka thënë ai në fjalën e tij.

Ai ka apeluar te të gjithë qytetarët për kujdes maksimal, mbajtje të distancës sociale, përdorimin e mjeteve mbrojtëse si doreza dhe maska, dezinfektues vazhdimisht dhe kujdes në higjienë.​