Republika e Kosoves

Gjilan

Haziri: Ky gjysmëvit ka qenë periudhë mjaft sfiduese shkaku i pandemisë

2020/10/05 - 5:43

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka paraqitur sot para Kuvendit Komunal raportin e punës për periudhën janar-qershor të këtij viti, ku fillimisht ka nënvizuar faktin se ky gjysmëvit karakterizohet në përgjithësi nga pandemia COVID-19, ku sfidë kryesore ka qenë ruajtja e shëndetit publik dhe të ekonomisë.

“Fatkeqësisht, ekonomia e Gjilanit ka humbur 788 vende të punës në kohë pandemie, prandaj aktivizimi i pakos financiare është urgjente”, ka thënë Haziri.

Sipas hulumtimit të zhvilluar nga Komuna dhe AZHR Lindje, kemi një rënie prej 23% të numrit të gjithmbarshëm të punëtorëve tek kompanitë e anketuara, kryesisht bizneset e mëdha dhe të mesme. E njëjta situatë është deklaruar edhe nga bizneset e vogla. 46% e bizneseve kanë deklaruar rënie të nivelit të shitjes prej 90-100% dhe vetëm 1% e bizneseve të anketuara kanë deklaruar se niveli i shitjes ka qenë i njëjtë.

Sipas hulumtimit, del se pandemia rrezikon më së shumti bizneset e vogla. Vetëm 8% e bizneseve mendojnë se mund të përballojnë situatën e pandemisë. 84% e bizneseve kanë deklaruar se nuk mund ta përballojnë situatën me pandemi dhe periudha maksimale që biznesi mund të operojë me rezultat pozitiv ose pa humbje është 3 deri 6 muaj, ndërsa 16% mund të operojnë prej 3 deri 12 muaj. Shpresëdhënëse është fakti se vetëm 50% e bizneseve nuk do të pushojnë punëtorët nga puna.

Sa i përket investimeve publike, ato po bëhen mbi parimin e barazisë qytet-fshat.

Kemi filluar me shpalljen e ofertave publike sipas buxhetit, duke kemi realizuar objektivat tona me donatorët. BERZH, Banka Botërore dhe Banka Investive Evropiane, janë donatorët më të mëdhenj, derisa projekti që i është dhënë drita jeshile është Impianti për trajtimin e ujërave të zeza. Po ashtu, nga Banka Botërore na erdhi lajmi i mirë nga Uashingtoni për grantin për zgjidhjen afatgjate të ujit të pijshëm për Gjilanin.

Edhe rregullimi i shtratit të lumit Stanishorka do të ndërtohet në kuadër të marrëveshjes me BERZH’in. Por, pa u krye impianti, ky problem nuk mund të zgjidhet përfundimisht. Ne e kemi bindur KE, BERZH dhe Bankën Investive Evropiane, duke e marrë dritën jeshile për ta përmbyllur këtë problem të ndotjes, ka thënë Haziri.

Kryetari Haziri ka kërkuar durim e mirëkuptim nga qytetarët derisa këto probleme të zgjidhen.

“Kërkoj edhe pak durim nga qytetarët që përballen me këtë problem. Do të ndërhyjmë me masa urgjente në Stanishorka nga kazerma e FSK e deri në Kufcë, por kjo është zgjidhje afatshkurtër”, ka thënë ai.

Lajmi i mirë është se po vazhdojnë punimet në autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, në tetë lotet e para. Projektet e madha kapitale  e regjionale që po realizohen dhe që do të fillojnë, janë pjesa e parë e rrugës hyrëse-dalëse Prishtinë-Gjilan nga tuneli, rruga Gjilan-Kllokot që janë investime nga BERZH, pastaj rruga e Kumanovës, rruga në drejtim të Bujanocit, rruga “Enver Miftari” etj.

Sa i përket buxhetit, Haziri ka tha se shuma e planifikuar për vitin 2020 ka qenë mbi 27 milionë euro, derisa nga grantet dhe mjetet vetanake e kalon shumën prej 29 milionë euro.

“Na gëzon fakti që komuna e Gjilanit, nuk ka borxhe”, ka thënë Haziri, duke shtuar se raporti i përmban në hollësi të gjitha aktivitetet, sipas sektorëve.

Nga opozita, raporti është vlerësues i mangët dhe përgjithësues, ndërkaq subjektet e koalicionit qeverisës kanë thënë se raporti paraqet gjendjen reale të angazhimeve dhe punëve konkrete që janë kryer në këtë periudhë sfiduese.

Kuvendi ka diskutuar edhe rreth raportit të auditorit të përgjithshëm për pasqyrat financiare të vitit 2019, ku Komuna e Gjilanit ka marrë vlerësim pozitiv nga ky institucion i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar.

“Sipas opinionit tonë, Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik (SNKSP), sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme”, thuhet në opinionin e pamodifikuar të Auditorit për Komunën e Gjilanit.

Opozita, edhe te kjo pikë shprehu vërejtje e mospajtime, duke thënë se raporti konstaton shkelje e lëshime procedurale.

Seanca e sotme u karakterizua edhe me tensione të herëpashershme, për çka kryesuesja e  Kuvendit Shpresa Kurteshi-Emini kërkoi kujdes nga këshilltarët, duke thënë se të gjithë jemi këtu për të njëjtin qëllim dhe ai është interesi i qytetarëve.


(Seancat e Kuvendit transmetohen online, ndërsa informata është një përmbledhje e shkurter e punimeve te sotme)