Republika e Kosoves

Gjilan

Haziri: Pogragja e solli kulturën e mirëmbajtjes së hapësirave publike nga Zvicra, apeloj fshatrat tjerë ta marrin këtë model

2018/08/10 - 2:32

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur të jetë i mrekulluar me pastërtinë dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike në fshatin Pogragjë.

“Jam i mrekulluar me punën që është bërë në Pogragjë. Ky fshat ka marrë krejt pamje tjetër falë angazhimit komunitar. Shoqata e bashkatdhetarëve “Pogragja” në Zvicër është promotor i krejt këtij ndryshimi së bashku me Këshillin e Fshatit. Ky fshat është model dhe unë apeloj që këtë model që ka ardhur nga Zvicra ta marrin edhe fshatrat tjerë”, ka thënë Haziri, gjatë vizitës së tri parqeve, lumit që kalon atje dhe projekteve tjera.

Haziri është zotuar se Komuna do të jetë mbështetëse e projekteve të mëdha sistemore që përfshinë infrastrukturën rrugore me prioritet rifunksionalizimin e rrjetit të ujësjellësit meqë është bartur në kompaninë “Hidromorava”.

Gjatë vizitës atje, kreu i Gjilanit është shprehur se në vitin e ardhshëm do të mbyllen projektet kapitale, për t’u bartur në mirëmbajtje tek qytetarët.

“Tashmë ky fshat i ka tri parqe, janë rregulluar rrugët, varrezat etj., ndërsa në javën e ardhshme ne do të fillojmë me ndërtimin e terrenit sportiv për rininë këtu dhe mbjelljen e drunjve dekorativ. Praktikisht, deri në verën e vitit të ardhshëm, Pogragjës i mbyllen projektet kapitale dhe krejt ky investim në mirëmbajtje do të bartet tek qytetarët”, ka theksuar i pari i gjilanasve.

Agron Aliu, përfaqësues i shoqatës “Pogragja”, e ka falënderuar kryetarin Lutfi Haziri për vizitën, ndërsa ka thënë se pas realizimit të disa investimeve, i kanë dhënë pamje krejt tjetër fshatit.

“Është shumë i rëndësishëm fakti se në Pogragjë është krijuar një kulturë e re dhe qytetarët janë vetëdijësuar. Nuk ka hedhje të mbeturinave e as dëmtim të pronës publike. Po ia dalim me sukses”, ka deklaruar Aliu, gjatë adresimit para gazetarëve.

Përndryshe, kryetari i Gjilanit ka paralajmëruar vizita të projekteve në terren edhe në Grykën e Karadakut, Malësinë e Zhegocit dhe në çdo fshat e lagje, për të parë nga afër punën në investimet e mëdha inftrastrukturore. ​