Republika e Kosoves

Gjilan

Haziri: Shkolla “Selami Hallaqi” për 45 vite shërbeu si vatër e dijes dhe e organizimit për çlirimin e Kosovës

2018/04/11 - 1:10

Shkolla fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan ka shënuar 45-vjetorin e themelimit të saj.

Kreu i Komunës, Lutfi Haziri, pasi ka uruar drejtorin Falorim Maloku, zëvendësin Fatmir Selimi, pedagogen Drita Kallaba e të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit, ka thënë se këto janë 45 vite të krenarisë dhe sukseseve të jashtëzakonshme që janë arritur në këtë institucion të dijes, e cila shërbeu edhe si vatër e organizimit për çlirimin e Kosovës.

“I uroj drejtuesit të shkollës dhe të gjithë mësimdhnënësit e nxënësit për këtë përvjetor jubilar. Përveç si vatër e dijes për 45 vite, “Selami Hallaqi” ka qenë objekti dhe vendi ku ne kemi organizuar jetën paralele, përfshirë takimet, tubimet, manifestimet kulturore e sportive, e përgatitjet e dy grupeve të para në sallën e edukatës fizike. Edhe grumbullimi i buxhetit të Komunës, ruajtja e jetës dhe protestat në qytet janë organizuar nga këtu”, ka thënë Haziri.

Duke e pasur prioritetin kryesor sektorin e arsimit edhe në qeverisjen e re, Haziri ka përmendur një varg suksesesh dhe investimesh në “Selami Hallaqi” për mbarëvajtjen e punës aty, duke shtuar se kujdesi ndaj këtij dhe institucioneve tjera arsimore do të jetë në vazhdimësi.

Përndryshe, më 7 mars të këtij vitit, kryetari i Gjilanit e ka vendosur një pllakë përkujtimore aty në shenjë falënderimi për kontributin e gjeneratava të tëra të arsimtarëve dhe të dy ish drejtorëve të shkollës “Selami Hallaqi” në vitet 90-ta.