Republika e Kosoves

Gjilan

Haziri viziton shërbimet e kujdestarisë pas ndërrimit të motmoteve

2019/01/01 - 9:24

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sikur edhe vitet e tjera, me bashkëpunëtorët e tij ka vizituar të gjitha shërbimet e kujdestarisë në Gjilan menjëherë pas ndërrimit të motmoteve.

Ai fillimisht ka qenë në Stacionin e Policisë së Kosovës, më pas në Shërbimin e Zjarrëfikësve, në Spitalin Regjional dhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku të gjitha këto shërbime kë kujdestarisë i ka uruar për ndërrrimin e moteve dhe njëkohësisht ka apeluar që ditët e festës të kalohen me maturi dhe me kujdes.

“Jemi bashkërisht në Spitalin Regjional të Gjilanit, ka një rast të lëndimeve me mjete piroteknike. Gjithashtu, janë informatat edhe për një rast tjetër me fatalitet, për të cilin Policia e Kosovës, do të jap hollësi shtesë. E rëndësishme është që në Gjilan të festojmë me maturi. Komuna e Gjilanit këtë vit ka punuar në bazë të urdhëresës së Qeverisë për ndalimin e shitjes ilegale të mjeteve piroteknike, ndërsa për shkak të rënies në detyrë në krijimin e sigurisë në Republikën e Kosovës të policit Izet Demaj, Komuna këtë vit për nderë të tij nuk ka organizuar asnjë aktivitet kulturor, në shenjë solidarizimi me familjen dhe kolegët e tij”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.

Përndryshe, kryetari Haziri dhe familja e tij, janë shoqëruar nga Alban Ramushi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, nënkryetari, Arbër Ismajli dhe drejtorët e drejtorive komunale.