Republika e Kosoves

Gjilan

Komuna e Gjilanit binjakëzohet edhe me Komunën Nazili të Turqisë

2011/11/30 - 12:00

Komuna e Gjilanit dhe Komuna Nazili nga Republika e Turqisë, përmes kryetarëve Qemajl Mustafa, përkatësisht Haluk Alicik, kanë nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit, e cila nuk ka kufizime kohore. Nazili është kjo komuna e dytë për nga madhësia në Turqi dhe e dyta me të cilën binjakëzohet Gjilani me komuna të këtij shteti.

Tani e tutje të dyja këto komuna do të angazhohen për marrëdhënie reciproke në sferën e kulturës, rinisë dhe sporteve, promovimin e vlerave artistike dhe të trashëgimisë kulturore e historike, themelim të marrëdhënieve në ngritjen e kapaciteteve në qeverisjen lokale në komuna ndihmë e ndërsjellë në investime në zhvillim në ekonomi dhe promovim të vlerave të tjera me interes të përbashkët.
 
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa me këtë rast tha se është një nder i veçantë që sot po bëhet një akt i tillë, akt i bashkëpunimit dhe i bashkimit të mendimeve për të bërë një zhvillim më të mirë dhe më të konsoliduar për të ardhmen e të dyja vendeve.
 
“Më lejoni që ta falënderoj kryetarin që e ka ndarë kohën e çmuar të tij, që të jetë në Komunën e Gjilanit dhe në Kosovë, për dy ditë me radhë, me qëllimin me të cilin edhe në fakt i kemi nisur këto bashkëpunime nga viti 2008, për themelimin e marrëdhënieve të qëndrueshme e të partneritetit mes komunave tona”, ka thënë Mustafa.
 
Ndryshe, ai ka theksuar se marrëdhëniet me Turqinë, Kosova i ka të veçanta, për shkak të një bashkëjetese shumëshekullore, të një historie në shumicë të përbashkët dhe kjo histori kaq e gjatë ka bërë edhe shkrirjen e kulturave, të traditave e që ka krijuar edhe bashkëpunimin më të ngushtë ndër-njerëzor e ndër-qytetarë.
 
“Po mundohemi që në këtë epokë të re, këto marrëdhënie ti riformojmë e ri-forcojmë, për të prodhuar efekt të vërtet të interesave të dyanshme”, tha Mustafa, duke shtuar se nëse duam që marrëdhëniet tona të jenë afatgjate dhe të qëndrueshme, ato para së gjithash duhet të jenë të karakterit investiv, ekonomik dhe kulturorë në mënyrë që edhe Kosovën si zonë të prapambetur në Evropë ta zhvillojmë ekonomikisht, e mandej ky zhvillim i mirëfilltë i forcon lidhjet tona shumë të natyrshme e të pandashme për dyja vendet tona.
 
Mustafa ka përmendur edhe marrëdhëniet e mira me shumë Komuna të Turqisë me të cilat nuk kemi lidhur ndonjë akt të bashkëpunimit, por që kemi një bashkëpunim të mirë me to.
 
Fjalimin e tij, kryetarit i Komunës Nazili, Haluk Alicik e filloi me urimin për të gjithë shqiptarët për festën e Flamurit Kombëtar shqiptarë, 28 Nëntori. Kosova për Turqinë ka një rëndësi të veçantë. Kosovën e konsiderojmë vend të paraardhësve tanë. Kemi tri binjakëzime me një Komunë ne Suedi me një në Hungari dhe kjo sot në Komunën e Gjilanit, për të cilën jemi shumë krenar. Presim një dialog më të thellë ndër-komunal. Para disa muajsh unë këtu kamë sjellë biznesmen nga komuna Nazili, jam njoftuar nga kryetari juaj se ku mund të investojnë biznesmenët turq në Gjilan, ka thënë ai.
 
Buxheti komunës Nazili të Turqisë nga të hyrat vetjake arrijnë në rreth 35 milion euro dhe ka mbi 250 mijë banorë. Komuna Nazili është komunë në të cilën kultivohen në masë të madhe shumë produktet bujqësore. Lidhur me zhvillimet dhe prodhimin në bujqësi citoi thënien “Nga malet dhe fushat e Komunës Nazili rrjedh mjalti”.
 
Po ashtu ai i bëri ftesë që edhe kryetari i Komunës së Gjilanit të bëjë së shpejti një vizitë në Komunën Turke me të cilën sapo e nënshkroi binjakëzimin.
 
Të pranishëm në këtë binjakëzim pos zyrtarëve më të lartë të Komunës së Gjilanit, përfshirë këtu edhe shefat e grupeve parlamentare të Partive Politike në Kuvendin Komunal, ishin edhe delegacioni turk i kryesuar nga kryetari Haluk Alicik dhe gjithashtu edhe drejtori i Institutit Junu-Semra, polic të kontingjentit turk në EULEX, dy nënkryetarë të Komunës Nazili, përfaqësues të KFOR-it, përfaqësues të Ambasadës Turke në Prishtinë dhe zyrtarë të tjerë Komune.