Republika e Kosoves

Gjilan

Komuna e Gjilanit dhe “AR Katana” e bëjnë me shtëpi familjen e Bajram Salihut

2018/12/04 - 9:36

Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me donatorin, kompaninë e ndërtimit “AR Katana”, kanë inauguruar shtëpinë e radhës për familjen katër anëtarëshe të Bajram Salihut nga Livoçi i Epërm.

Çelësat e shtëpisë zyrtarisht ia kanë dorëzuar kësaj familje kryetari i Komunës, Lutfi Haziri dhe pronari i “AR Katana”, Muhamet Ajrullahu.

“Muhameti i AR Katanës është njeriu më solidar që kemi në Gjilan, i cili i është bashkëngjitur aksionit të Komunës për banim social. Jemi afër numrit 100 të shtëpive të ndërtuara dhe renovuara dhe jam shumë i lumtur që kemi arritur ta zbusim gjendjen e kësaj kategorie”, ka thënë me këtë rast kryetari Lutfi Haziri.

“Jemi të interesuar që çdo familje që ka problem me kulm mbi kokë t’i ndihmojmë në mënyrë që ta ulim në pikën zero kërkesën për banim. Jemi Komuna që prin me solidaritet. I falënderoj donatorët, bashkatdhetarët dhe kompanitë e Gjilanit që janë bartës të këtij procesi dhe natyrisht një pjesë e buxhetit të Komunës shkon edhe për realizimin e këtij programi. Apeloj që të vazhdojmë të bëhemi shembull si Muhameti, sikur Ruzhdi Bunjaku, i cili ndërroi jetë para disa javësh etj., për të siguruar kushte më të mira për qytetarët tanë”, u shpreh Haziri.

Pronari i kompanisë  “AR Katana”, Muhamet Ajrullahu, ka njoftuar se shtëpia e Bajram Salihut është numër 27 që ka ndërtuar për familjet në nevojë.

“Kam pasur nderin që si pronar i “AR Katana” t`ia dorëzojmë çelësat e shtëpisë familjes së Bajramit. Kjo është shtëpia e 27 që kemi ndërtuar për familjet në nevojë brenda tri vite e gjysmë. Do të vazhdojmë t’iu dalim në ndihmë qytetarëve të Gjilanit edhe në të ardhmen”, tha Ajrullahu.

Ndërkaq, përfituesi i shtëpisë, Bajram Salihu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për aksionin dhe donatorin Muhamet Hajrullahu që familjen e tij e bënë me kulm mbi kokë.

Kreu i Komunës, Lutfi Haziri ka informuar se Komuna së bashku me donatorët është duke e ndërtuar edhe shtëpinë e dytë në Livoç të Epërm, ndërkaq ka paralajmëruar ndërtimin e dy shtëpive të tjera në Verbicë të Zhegocit dhe në Gumnishtë.