Republika e Kosoves

Gjilan

Komuna e Gjilanit ka mbajtur sot katër dëgjime publike për katër rregullore

2020/06/29 - 3:26

Komuna e Gjilanit ka mbajtur sot katër dëgjime publike, ku janë prezantuar katër rregullore komunale që kanë të bëjnë me: Organizimin e brendshëm në shërbimin civil, Kodin e etikës, Kutinë e ankesave në institucionet e arsimit para-universitar si dhe Procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshëm.

Sa i përket Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Shërbimin civil komunal si dhe Kodit të Etikës, sqarime kanë dhënë drejtori i Administratës, Bardhyl Syla si dhe anëtarët e komisionit, Besim Azizi, Sadri Arifi e Tringa Ahmeti.

Rregullorja e parë, që për bazë ka ligjin për vetëqeverisje lokale si dhe statutin e Komunës, bënë standardizimin e vendeve të punës, sipas katalogut të cilin e ka hartuar qeveria, ka thënë Syla.

Në këtë pikë, me diskutime, kanë kontribuar Mursel Zymberi, Avdyl Aliu, Sherafedin Latifi, Habib Mahmuti e të tjerë.

Kurse Kodi i Etikës përcakton rregullat që një shërbyes civil është i obliguar t`i zbatojë gjatë punës, përfshirë orarin e punës, veshjen e të tjera, ka thënë drejtori Bardhyl Syla.

Në debatin për Kodin e Etikës janë përfshirë Nevzad Isufi, Avdyl Aliu, Fitim Guda, Sali Fazliu, Shemsedin Elezi, Afërdita Balaj, Burim Berisha dhe të tjerë, të cilët veçmas e kanë analizuar çështjen e tatuazheve.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit, ka thënë se kjo pjesë e rregullores duhet të riformulohet më butë, sepse duhet të jemi të kujdesshëm që të mos cenojmë të drejtën dhe barazinë në pjesëmarrje.

Kurteshi-Emini tha se këtë segment duhet ta diskutojë edhe Kuvendi Komunal, para se të vendos.

Ndërkaq, sqarimet për Rregulloren për kutinë e ankesave në institucionet e  arsimit para universitar i ka dhënë drejtori Nazim Gagica, ndërkaq për Rregulloren për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshëm në pronat e personave fizikë dhe juridikë, sqarimet e duhura i ka bërë drejtori i Urbanizmit, Bekim Bajrami.

Qëllimi i këtyre diskutimeve është përfshirja e publikut, shoqërisë civile, zyrtarëve komunalë si dhe grupeve të interesit në procesin e hartimit të akteve komunale, të cilat pas zhvillimit të të gjitha procedurave të nevojshme ligjore, procedohen në Kuvend për miratim.

Pjesëmarrja e publikut në dëgjimet e sotme, nuk ka qenë e kënaqshme, mbase edhe për shkak të pandemisë dhe obligimit për të respektuar masat mbrojtëse.