Republika e Kosoves

Gjilan

Kuvendi i Gjilanit ka mbajtur mbledhje solemne me rastin e 112-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë

2024/11/28 - 11:59

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, me rastin e 112-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ka mbajtur sot seancë solemne, në ngjarjen ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, sikurse edhe përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, familjarë të dëshmorëve e përfaqësues të tjerë institucionalë.

Kryesuesi Kadriu tha se 28 nëntori është njëra nga ditët më të rëndësishme për popullin shqiptar.

“Pavarësia e shtetit amë nuk është e plotë derisa shumë pjesë të territoreve shqiptare ndodhen ende nën sundim të shteteve të huaja”, ka thënë Kadriu.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, është shprehur se 28 nëntori është njëra prej ditëve më të ndritura të historisë sonë kombëtare.

“Kjo është dita që mbartë në vete kuptimin më të thellë të lirisë, krenarisë dhe unitetit kombëtar”, është shprehur Hyseni.

Ndërkaq, veprimtari i çështjes kombëtare, Basri Musmurati, ka thënë se sot po e kremtojmë një festë që për më të moshuarit, e kanë pasur ëndërr, duke porositur që në vazhdimësi të shpjegohet për këtë festë gjeneratë pas gjenerate.

Në këtë seancë solemne janë nderuar edhe personalitetet e Gjilanit për kontributin e jashtëzakonshëm. Vlora Qerimit, Fortesa Oranës e Hatixhe Zejnullahut u është ndarë çmimi Nderi i Qytetit për kontributin e lartë në sport, ndërkaq me mirënjohje për kontribut jetësor janë nderuar: Ali Huruglica, Jakup Berisha, Saime isufi, Bastri Musmurati, Sabit Rexhepi (post mortum), Xhevat Demiri, Aliriza Selmani, Mehmet Kurteshi, Bejtulla Tahiri, Taip Zeka (post mortum), Fazli Abdullahu, Shefqet Mehmeti (post mortum), Hydajet Hyseni, Hysen Sherifi, Rexhep Ibrahimi, Halil Mala, Reshat Sadiku e Faik Januzi.

Ndryshe, Komuna e Gjilanit nën përkujdesjen e kryetarit Alban Hyseni, ka paraparë për sot edhe këto aktivitete: homazhe te varrezat e dëshmorëve (10:00), gurthemel i bustit të veprimtarit të shquar, Hamdi Zymberi, rrethi te ETC (11:00), performancë – akrobacione te teatri i qytetit (12:00), pritje për artistët në Zyrën e Kryetarit (19:00) dhe mbrëmja gala “Nën një flamur të pandarë”, te Vali Ranch (20:00).