Republika e Kosoves

Gjilan

Në Gjilan po bëhet rishikimi i fizibilitetit, që hap rrugën e investimit në trajtimin e ujërave të zeza

2018/09/11 - 1:08

Gjilan, 11 shtator 2018 – Në Komunën e Gjilanit është duke qëndruar ekipi i kompanisë “Posch Plus Partner”, me seli në Austri, e kontraktuar nga Banka Evropiane për Investime dhe BERZH-i, për rishikimin e studimit të fizibilitetit për ujërat e zeza, që pritet të përfundohet deri në fund të muajit tetor, për të hapur rrugën e procesit të realizimit dhe investimit të impiantit, kolektorëve dhe gypit kryesorë.

Në takimin e përbashkët me drejtuesit e KRU “Hidromorava”, ekspertëve të fizibilitetit, përfaqësuesve komunal, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se Gjilani ka nevojë emergjente investimin në trajtimin e ujërave të zeza.

“Komuna e Gjilanit ka prioritet trajtimin e ujërave të zeza, ndërtimin e impiantit dhe kolektorëve. Deri më tani lumi që dikur ishte shkaktari kryesor i kundërmimit në zemrën e qytetit, por edhe i imazhit shumë degradues, është kthyer në një atraksion të vërtetë dhe shëtitore me shumë vlerë për qytetarët në përgjithësi. Përmes qeverisë, por edhe donatorëve do të veprojmë njëjtë edhe me lumin tjetër që kalon nëpër qytet, siç është ‘Stanishorka’, që nevojitet një investim mjaft i madh”, ka thënë Ismajli.

“Falënderoj ekipin i cili është duke incizuar gjendjen faktike në Komunën e Gjilanit në përgjithësi, për të kompletuar një fizibilitet të saktë lidhur me nevojën dhe mundësinë e trajtimit të ujërave të zeza. Komuna e Gjilani dhe ndërmarrja regjionale “Hidromorava”, janë në dispozicion të plotë që të informojnë për gjithçka këtë kompani, në mënyrë që në muajin tetor të kemi një studim të qartë se si duhet të veprohet në Gjilan, por edhe hapjen e rrugës për investim”, ka thënë ai.

Ismajli ka potencuar faktin se rishqyrtimi i fizibilitetit të mëhershëm për ujërat e zeza kërkon ndryshimin e domosdoshëm, sepse Gjilani ka shënuar ndryshime të mëdha qoftë në infrastrukturë, apo edhe ndërtime njëkohësisht, që në të njëjtën kohë, sipas tij, kërkohet edhe një intervenim në fizibilitet dhe në këtë punë të madhe Komuna e Gjilanit do të ofroj bashkëpunimin maksimal, profesionalisht por edhe në aspekte të tjera të rëndësishme.

Ndërsa nga ana e kompanisë së kontraktuar, ekspertët janë interesuar për aspektin praktik të funksionimit, gjendjes së furnizimit me ujë të pijes, legjislacionin në fuqi, numrit të popullësisë, ekonomive familjare dhe komunitetit të biznesit, por edhe aspektin e kostos financiare dhe rrjetit të konsumatorit në përgjithësi.

Ndryshe, Rishikimi i studimit i hap rrugën procesit të realizimit dhe investimit në impiant, kolektor dhe gypit kryesor që është jetike për Gjilanin dhe zgjidhjen e këtij problem për dekata të ardhshme.