Republika e Kosovës
Republika e Kosoves

Gjilan

Në vigjilje të 28 Nëntorit, në Gjilan është hapur Panairi “Festo Tradicionalisht”

2022/11/21 - 4:13

Në vigjilje të 28 Nëntorit,  Ditës së Flamurit, në Gjilan është hapur sot  Panairi “Festo Tradicionalisht”, në të cilin janë ekspozuar produkte të prodhuara nga gratë, e që janë artizanale, ushqimore, e të ndryshme.

Në hapjen e Panairit, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, tha se ky është një simbolikë e angazhimit dhe planeve tona për mbështetjen për gratë dhe vajzat.

“Jam i lumtur që po e shënojmë bashkë Ditën e flamurit, 110 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë përmes këtij Panairi, i cili është një simbolikë e angazhimit dhe planeve tona për mbështetjen për gratë dhe vajzat. Ajo që ne e kemi bërë deri tash është që kemi filluar me përkrahje përmes bursave për studimet, ndërkohë që e kemi edhe planifikimi i edukimit të hershëm, që nënkupton edhe ngritjen e cilësisë për mësim, por edhe në të njëjtën kohë edhe lirim të përkujdesit shtëpiak prindëror për nënat dhe vajzat, krijon hapësirë e mundësi që ta përmirësojmë gjendjen e tyre në shoqëri”, ka thënë kryetari Hyseni.

Kryetari Hyseni, po ashtu, e ka nderuar me mirënjohje zonjën Magbule Ibrahimi, e cila ka qenë ndër kreatoret e para të veshjeve kombëtare në Gjilan.

Nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina-Bunjaku, tha se hapja e Panairit “Festo tradicionalisht” po bëhet në ditën më të rëndësishme të historisë sonë, duke shfaqur shpresën se shumë gra dhe vajza do t’i bashkangjiten këtij aktiviteti.

“Gratë gjithmonë kanë treguar se si ruhet dhe kultivohet tradita, në mesin e të cilave është edhe zonja Magbule, por kanë qenë edhe shumë nëna që fatkeqësisht nuk janë në mesin tonë, por ne i kujtojmë gjithmonë përmes traditës e ushqimeve tradicionale. Bashkë me Komunën, të gjitha synimet tuaja do t’i bëjmë realitet”, ka theksuar nënkryetarja Morina-Bunjaku.

Arjeta Maka nga OJQ Gruaja Hyjnore, ka thënë se qëllimi i panairit “Festo tradicionalisht” është bërë për ta përcjellë te brezat e ardhshëm që duhet nderuar dhe kultivuar traditat tona.

Ky Panair, i cili është hapur në për vizitorët në sheshin “Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha” do të jetë i hapur për vizitorët deri më 25 nëntor, është organizuar në mënyrë vullnetare nga OJQ Gruaja Hyjnore në bashkëpunim me Zyrën e Kryetarit, Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Gjilanit.