Republika e Kosoves

Gjilan

Nis ndërtimi i rrugës 7 kilometërshe Verbicë e Zhegocit-Sllovi, kosto 1.3 milionë euro

2019/07/05 - 2:17

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, zëvendësministrin Rexhep Kadriu dhe bashkëpunëtorët e tyre, kanë marrë pjesë sot në fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Verbicë e Zhegocit – Sllovi, që e lidhë Gjilanin dhe Lipjanin, në një gjatësi pre 7.6 kilometra me kosto prej 1.3 milionë euro.

Në fjalën e tij kryetari Haziri ka thënë se ky ka qenë prioritet dhe planifikim i Komunës së Gjilanit, që është mbështetur financiarisht edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe sipas tij është projekt që të gjithë bashkërisht ia kishim borxh këtij lokaliteti që ishte vatër e rezistencës.

“Jemi në Verbicë të Zhegocit për të filluar punimet për investimin e rrugës që lidh Gjilanin dhe Lipjanin. Është prioritet i Komunës së Gjilanit që ministria ka gjetur mbështetje financiare. Falënderoj ministrin Lekaj dhe zv.ministrin Kadriu për angazhimin e tyre në këtë projekt të rëndësishëm dhe strategjik në kuadër të zhvillimit ekonomik. Është borxh i larë me vonesë për banorët e kësaj ane, por sot është dita e fundit që shpresa e tyre është rikthyer me ndërtimin e kësaj rruge falë angazhimit të përbashkët me qeverinë e Kosovës”, ka thënë në fjalën e tij kryetari Haziri.

Ndërsa, nga ana e tij ministri Pal Lekaj, ka thënë se projekte të kësaj natyre janë në interes të zhvillimit të vendit, sepse siç ka potencuar ai, Komunat janë zhvillimi i qëndrushem i shtetit.

“Jemi të vendosur që bazën e zhvillimit të shtetit që është Komuna, të ketë mbështetje të vazhdueshme me projekte dhe financa. Falënderoj kryetarin Haziri, i cili autoritetin e tij po e ushtron përmes punës në projekte pa dallime politike dhe i barabartë për të gjithë qytetarët. Kjo rrugë e cila është nisur qe tre here, që nga sistemi i kaluar, e qeveritë e mëparshme, brenda një viti do të përfundoj në tërësi që normalisht do të krijoj lëhtësi të mëdha në qarkullim dhe vitin e ardhshëm do të takohemi në një rrugë të asfaltuar dhe me standarte”, ka thënë ministri Lekaj.

Për banorët e malësisë së Verbicës, kjo rrugë është një shpresë e fuqishme për investime dhe zhvillim të zonës e cila ka kapacitete të fuqishme për rekreacion, turizëm, blegtori dhe zhvillim lokal ekonomik.