Republika e Kosoves

Gjilan

Njëqind të rinj të Gjilanit nënshkruajnë kontratat e punës praktike me pagesë

2019/04/17 - 6:31

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me ambasadoren Nataliya Apostolova, kanë marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për praktikë me pagesë në kompanitë vendore të 100 të rinjve nga rajoni i Gjilanit, me qëllimin që gjatë të ardhmes ata të mbeten aktivë në punë dhe të ushtrojnë profesionin e tyre në agrobiznes dhe njëkohësisht edhe të krijojnë të ardhura për vete dhe familjet e tyre.

Kjo është bërë e mundur përmes mbështetjes së Bashkimit Europian dhe Komunës së Gjilanit, të cilët kanë qenë në partneritet të plotë që ky projekt ka shënuar efektet pozitive me angazhimin e 100 të rinjve në punë.

Kryetari Lutfi Haziri ka falënderuar Komisionin Evropian për mbështetjen e programit në aspektin financiar dhe ka thënë se këto kontrata për të rinjtë e këtij regjioni janë një lajm i gëzuar për të gjithë, sepse me këtë po krijohet mundësia shumë e mirë për ushtrimin e profesionit të agrobiznesit dhe krijimin e të ardhurave njëkohësisht.

“Një falënderim i veçantë për KE-në dhe ambasadoren Apostolova, që ka mbështetur financiarisht këtë program, i cili target ka të rinjtë, djemë e vajza nga të gjitha komunitetet. Regjioni i Gjilanit është zonë agro-industriale, sikur që edhe e kaluara e afërt e tij ka qenë e lidhur fuqishëm me agrobiznesin. Sektori privat me investimet që po bënë e ka kthyer fokusin në agrobiznes dhe sipas statistikave, në vitin 2018, Gjilani hyn në mesin e Komunave me ambientin më të qëndrueshëm për zhvillimin lokal ekonomik, i bazuar në bujqësi. Përgatitja profesionale e të rinjve, pastaj trajnimet e shumta dhe puna praktike në sektorin e prodhimit, janë një bazë e fuqishme e zhvillimit ekonomik lokal”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Nga ana e saj, ambasadorja Nataliya Apostolova, ka thënë se kjo fazë e projektit është pjesë shumë e veçantë për te dhe më e rëndësishmja deri më tani, sepse me këtë po bëhet një ndryshim i madh pozitiv, me përgatitjen e të rinjve në aspektin profesional, me angazhimin direkt në punë praktike dhe njëkohësisht kjo po bëhet falë edhe bashkëpunimit shumë të mirë që është krijuar mes KE-së, institucioneve lokale dhe sektorit privat të biznesit prodhues.

“Me numrin e bizneseve që kemi në Gjilan dhe në këtë regjion në përgjithësi, besojmë fuqishëm se numri i të punësuarve do të rritet, përkundër kërkesave të mëdha për vende pune, por së bashku me të gjithë akterët kjo do të bëhet realitet dhe do të kemi suksese bashkërisht”, ka thënë ajo.

Aapostolova, gjithashtu ka potencuar se Bashkimi Evropian është duke investuar vazhdimisht në fusha të ndryshme në Kosovë dhe projekte me vlerë të lartë në regjionin e Gjilanit, për të krijuar së bashku mundësi më të mëdha për të rinjtë, punësim të tyre në sektorin privat, zhvillimin e sektorit të bujqësisë së bashku me të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë pjesë.

Pas ceremonisë, ambasadorja Apostolova dhe kryetari Haziri kanë biseduar me praktikantët për planifikimin e tyre për të ardhmen dhe rolin e institucioneve lokale dhe BE-së në këtë proces.