Republika e Kosoves

Gjilan

Pikëllohet Lutfi Haziri: Lamtumirë, miku im i shtrenjtë

2021/01/12 - 1:33

Me rastin e ndarjes nga jeta të zëvendësministrit të Bujqësisë, Nehat Ramadani, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Ramadani. Në telegram, thuhet:

“E nderuar familje Ramadani,

Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të mikut tim tash e 30 vjet, Nehat Ramadani.

Kosova dhe Gjilani ka humbur një njeri të madh, e një profesionist të jashtëzakonshëm të shumë fushave, duke lënë boshllëk të madh në jetën institucionale e politike.

Nehat, gjatë 30 vjetëve të fundit, kurrë nuk u ndal së punuari për çështjen e kombëtare dhe për të mirën e përgjithshme.

Ndërkohë, në 20 vitet e pasluftës, Nehati shërbeu në poste të ndryshme ekzekutive e legjislative, në nivel qendror e lokal dhe kudo që ishte, punoi me nder e përkushtim, duke qenë shembulli më i mirë i njeriut dhe profesionistit.

Familje e nderuar Ramadani, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta. Ngushëllime edhe miqve, kolegëve e farefisit. Zoti ua lehtësoftë dhembjen.

Lamtumirë, miku im i shtrenjtë!”, thuhet në telegramin e Hazirit.