Republika e Kosoves

Gjilan

Ramadani: Gjilani, partner i madh me organizatat e fuqishme ndërkombëtare e vendore në përkrahje të fermerëve

2019/06/05 - 2:12

“Komuna e Gjilanit është modeli më i mirë i partneritet të madh me organizatat e fuqishme ndërkombëtare dhe vendore në përkrahje të fermerëve”, ka thënë drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, teksa ka numëruar projektet, të arriturat dhe sfidat e 5-mujorit të punës për vitin 2019.

Në konferencën për gazetarë, Ramadani ka përmendur implementimin e programit me mbështetje të Komisionit Europian, ku 100 studentë apo sapo të diplomuar do të kryejnë praktikë tremujore me pagesë, do të mbështeten 10 ndërmarrje që zhvillojnë turizmin rural dhe 52 biznese fillestare do të fitojnë grante të vogla në vlerë prej 2500 euro.

Ndërkohë, përmes bashkëpunimit me shkollën e bujqësisë “Arbëria”, ai tha se kanë mbështetur 5 ferma blegtorale me gjedha të racës simental, përderisa 572 fermerë janë subvencionuar në mbjellje pranverore.

“Përveç kësaj, është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit me kompaninë “Shell Kosova” për subvencionimin e naftës për fermerë për 5 cent për litër, sikur që kemi kontratë edhe me Hib Petrolin për përkrahjen e fermerëve në të njëjtën masë. Ky do të jetë një lehtësim i madh për bujqit”, theksoi i pari i bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani.

Duke nënvizuar projektet në proces të implementimit, drejtori i Bujqësisë në Gjilan ka përmendur projektin e serrave të zinkuara, furnizimin e bletarëve me shtëpiza trekatëshe, furnizimin me makina mjelëse etj.

“Projekti i radhës në prag të implementimit është “Furnizim me makina mjelëse“, këtu kemi pasur 95 aplikime dhe përfitues do të jenë 40 fermerë. Do të trajtohen blegtorët që kultivojnë mbi 5 krerë lopë qumështore dhe nuk kanë qenë përfitues asnjëherë. Po ashtu, kemi përfunduar pranimin e aplikacioneve për mekanizim bujqësor, ku interesimi është tepër i madh dhe për 70 mekanizma bujqësor kanë aplikuar 274 fermerë”, ka thënë Ramadani.

Në fund të konferencës, drejtori Ramiz Ramadani pohoi se edhe këtë vit do të vazhdohet me projektin e rrugëve fushore, ku është përzgjedhur operatori, është nënshkruar kontrata dhe për pak ditë do të nisin punimet.