Republika e Kosoves

Gjilan

Ismajl Kurteshi

I lindur: me 15. 02. 1952 në Gjilan.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka kryer në Gjilan. Studimet i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filologjik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze.

Nga viti 1976 deri në vitin 1988 ka punuar në Televizionin e Prishtinës.

Në Fabrikën e Baterive në Gjilan ka punuar gjatë viteve 1988–1991.

Në Gjimnazin e Gjilanit ka punuar në periudhën 1992 – 1998.

Gjatë viteve 1998 – 1999 ka qenë Kryetar i Këshillit të Emergjencës për Komunën e Gjilanit.

Në vitin 1999: janar – qershor ka raportuar nga Gjilani (Zona Operative e Karadakut) për Dojqe Wele dhe BBC-në në gjuhën shqipe dhe angleze.

Pas përfundimit të luftës ka qenë kryetar i Komunës së Gjilanit (1999 – 2000).

Drejtor i Drejtorisë së Arsimit – 2008 2010.

Deputet në Kuvendin e Kosovës, në katër mandate: Mandati i parë 2001- 2004, mandati i tretë (gjashtë muaj në vitin 2010), mandati i pestë 2014 – 2017 dhe mandati i gjashtë 2017-2019.

Nga viti 1990-1993 e ka udhëhequr Sindikatën e Pavarur të Fabrikës së Baterive.

Nga viti 1999-2005 ka qenë kryetar i Degës së PDK-së në Gjilan.

Nga viti 2011-2016 ka qenë kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan.

Në vitin 2005, bashkë me disa aktivistë politikë të Gjilanit ka grumbulluar rreth 20 mijë nënshkrime kundër decentralizimit në baza etnike, për të njëjtën çështje ka organizuar protesta dhe debate të shumta.

I ka kundërshtuar publikisht, përmes debateve, protestave dhe peticioneve, negociatat e Vjenës më 2006, kur është pranuar Pakoja e Ahtisarit dhe të gjitha negociatat pa parime, në kundërshtim me parimin e reciprocitetit dhe negociatat me Serbinë për rregullimin e brendshëm të Kosovës.

Si deputet i Kuvendit të Kosovës, ka qenë kundër dhe nuk ka votuar për formimin e Gjykatës së Hagës, marrëveshjen për demarkacionin dhe marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe – “Zajednicën”.

Demarkacionin me Malin e Zi dhe “zajednicën” i ka kundërshtuar bashkë me deputetë të tjerë edhe me hedhje të gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës, për këtë arsye është arrestuar bashkë me shumë aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarë.

Në Kuvend, për veç tjerash ka ngritur disa herë çështjen e pjesës veriore të Kosovës, Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Veçanërisht është angazhuar në zgjidhjen e problemeve në fushën e arsimit.