Republika e Kosoves

Gjilan

Kryetari

ALBAN HYSENI

Alban Hyseni u lind më 23 tetor 1990 në Gjilan. Ai ka diplomuar në Fakultetin Juridik dhe ka mbaruar master në programin Juridik Penal.

Alban Hyseni ka filluar punën si tutor studentësh në vitin e katërt të studimeve. Gjatë viteve 2013-2015, ka vazhduar punën si asistent në lëndët e fushës juridiko-penale dhe më pastaj si ligjërues i lëndëve juridiko-penale.

Ka qenë i angazhuar edhe në pozitat: Zyrtar për Marrëdhënie me Jashtë (2013 – 2014), Zyrtar i Cilësisë (2014-2016) dhe më pas edhe Sekretar i Përgjithshëm i Kolegjit ‘Arbëri’.

Ishte i angazhuar po ashtu si Koordinator i UBT-së në Gjilan, si dhe është pjesë e stafit akademik në kuadër të Fakultetit Juridik, për lëndët e fushës penale.

Alban Hyseni është aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga viti 2010. Është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes dhe aktualisht koordinator i Qendrës në Gjilan.

Në zgjedhjet e vitit 2019 u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në zgjedhjet 2021 u rizgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku u angazhua në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Pas fitores për kryetar Komune në zgjedhjet e tetorit 2021, hoqi dorë nga mandati i deputetit.

Detyrën e kryetarit të Komunës e mori më 9 dhjetor 2021.

Ky është mandati i tij i parë si kryetar Komune në Gjilan.

Nga gjuhët e huaja flet anglishten dhe gjermanishten.

Alban Hyseni jeton në Gjilan, është i martuar dhe ka dy fëmijë.