Republika e Kosoves

Gllogoc

Fillon cikli i dëgjimeve publike për Projektet Kapitale të buxhetit 2023- 2025

2022/09/07 - 3:56

Fillon cikli i dëgjimeve publike për Projektet Kapitale të buxhetit 2023- 2025

 

Komuna e Drenasit, përkatësisht Kuvendi Komunal dhe Komitetit për Politikë dhe Financa në bashkëpunim me Ekzekutivin e Komunës, kanë filluar mbajtjen e dëgjimeve buxhetore me qytetarë për të diskutuar lidhur me listën e Projektet Kapitale për periudhën 2023-2025.

 

Sot janë mbajtur dy dëgjime me publikun. Dëgjimi i parë filloi nga ora 10:00 në Sallën e Kuvendit Komunal të Drenasit me përfaqësues të Shoqatave të Bizneseve, OJQ dhe Shoqëri Civile.

 

Takimin e parë e prezantoi Udhëheqësi i Zyrës për Komunikim me Publikun, Bekim Dobra i cili e përshëndeti takimin dhe ka falënderuar për pjesëmarrje në takim gjithë pjesëmarrësit.

 

Në këtë dëgjim, merrnin pjesë, nënkryetari i Komunës, Arben Shala, drejtorë të drejtorive komunale, administratorë të vendbanimeve, përfaqësues të lagjeve dhe qytetarë të tjerë.

Të pranishmit kanë paraqitur kërkesat dhe nevojat e tyre për të cilat kanë kërkuar të futen si Projektet Kapitale 2023- 2025.

 

Nga ora 14:00 në Sallën e Kuvendit Komunal të Drenasit është mbajtur edhe dëgjimi tjetër me publikun. Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor ishte tema për të cilën u diskutua në takimin e dytë me përfaqësueset e grave.

 

Të gjithë të pranishmit janë pajisur me materialet e nevojshme për të diskutuar. Ata para vetës kanë pasur draft-listën e projekteve kapitale si dhe draft-buxhetin për vitet 2023-2025 dhe pasi kanë paraqitur kërkesat e tyre kanë marrë përgjigje për kërkesat e parashtruara.

 

Ndryshe, buxheti i përgjithshëm i Komunës për vitin 2023 është 18.156.892.00 euro, ndërsa nga kjo shumë për investime kapitale janë planifikuar 6.335.649.00 euro apo 34.89%.

 

Këto dëgjime buxhetore për projektet kapitale ishin dëgjimet e para pas të cilave nga nesër do vazhdojnë në ShFMU “Rilindja” në Dobroshec për Bashkësia lokale e Dobroshecit (Gradicë, Likoshan, Godanc, Dobroshec, Gllanasellë dhe Çikatovë e Vjetër), duke filluar nga ora 10: 00.

Ditën e nesërme do mbahen dëgjimet buxhetore edhe në ShFMU “ Zenel Hajdini” në Tërstenik për Bashkësinë Lokale Tërstenik (Tërstenik I dhe II, Vërboc, Polluzhë dhe Shtuticë) duke filluar nga ora 14:00.

 

Në Bashkësinë lokale të Baicës (Abri, Tërdec, Baicë, Krajkovë dhe Damanek) ditën e nesërme duke filluar nga ora 16:00.

 

Inkurajohen gjithë qytetarët e vendbanimeve të lartcekura të marrin pjesë në dëgjimet buxhetore dhe të dhënë rekomandimet e tyre për Projektet Kapitale 2023-2025.

 

Këto Dëgjime Buxhetore për Projekte Kapitale janë duke u organizuar nga Zyra e Kuvendit të Komunës së Drenasit.