Republika e Kosoves

Gllogovc

Komuna e Drenasit ndan 160 bursa studimi

2018/11/14 - 5:16

Komuna e Drenasit ndan 160 bursa studimi

Të mërkurën në Sallën e Kulturës ne Komunës së Drenasit, studentët përfitues të bursës komunale për vitin akademik 2018/2019, kanë nënshkruar kontratat për marrjen e burës.

Me rastin e nënshkrimit të kontratave, ka marr pjesë kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci i cili edhe u ka nënshkruar kontratat për 140 bursist të nivelit të studimeve bachelor dhe 20 master, ndërsa përfitues të bursës gjithsej do të jenë 227 studentë përmes edhe donatorëve.

Kryetari Lladrovci i është drejtuar studentëve edhe me një fjalë rasti  ku ka thënë se ndjehet krenar si kryetar komune, sepse asnjë studenti që i plotëson kushtet, nuk i është mbyllur dera, sepse secili student që i ka plotësuar kriteret e konkursit do të gëzoj të drejtën e përkrahjes për marrjen e bursës.

Fjalimi i kryetarit me rastin e nënshkrimit të kontratave për studentët;

Të dashur studente e studentë,
Profesorë, doktor shkencash e akademikë të ardhshëm,

Gëzimi Juaj, avancimi Juaj, arritja Juaj, është arritje edhe e Familjes Tuaj, e Drenasit, arritje e Drenicës, Kosovës dhe kombit tonë.

Ju përgëzoj sepse ju e meritoni. Ju, të gjithë i keni plotësuar kushtet për bursë.

Pa përjashtim, ju të gjithë do të keni bursa, sepse, ju jeni e ardhmja e këtij vendi sa krenar aq edhe të munduar për të arritur deri te liria.

Unë jam sot, njeriu më krenar në Kosovë, sepse, asnjë studenti që i plotëson kushtet, nuk ia kemi mbyll derën. Secili do të gëzoj të drejtën e përkrahjes.

Kur erdha në krye të komunës, i gjeta 40 bursa, e dhashë zotimin tim se do të sigurojmë dyfishin, nuk u ndala dhe arritëm në 107.

Sot, i kemi siguruar 227 bursa, secili student që i plotësoi kushtet, e mori bursën. Nuk pati nevojë të ketë asnjë ndërhyrje në komision apo të mendoni të gjeni rrugë tjera për të marrë bursë, apo të njohur. Ju të gjithë jeni të njohur për mua, sepse jeni më të mirët.

Pse, bursa për të gjithë, sepse ne jemi krenarë me Juve, krenar është Drenica me Juve, se ju e doni vendin Tuaj, ashtu siç e deshtën baballarët e gjyshërit tuaj, flakë për flakë me okupatorin, prandaj, secili nga ju e meriton përkrahjen, pa dallim.

Sot, ju lus por edhe ju ftoj, të studioni dhe arrini maksimumin në shkencë dhe dije, duke u bërë njerëz të mirë. Na bëni krenar me arritjet tuaja, brez i lirisë që ndërton Drenasin, Drenicën dhe shtetin e Kosovës.

Në mesin Tuaj, jeni ju edukatoret dhe edukatorët tanë, profesorët, mjeke dhe mjekët tanë, inxhinierët dhe arkitektët, artistë dhe akademik, që do t’i shërbeni me krenari familjes Tuaj por edhe kombit.

Falënderoj zyrtarët komunal që kursyen fonde për Juve, falënderoj biznesmenët dhe donatorët që përkrahën idenë time që secili studentë i komunës tonë që plotëson kushtet, të marrë bursë. Sepse, secili nga Ju meriton përkrahje.

Sinqerisht, Ju uroj sukses! Ju uroj sukses nga zemra sepse, ju i meritoni gjithë të mirat e lirisë së këtij vendi.

Kurrë mos e harroni se jeni nga Drenica, djepi i UÇK-së, vatra e lirisë dhe sakrificës shekullore për liri të Kosovës.

Uroj të merrni sa më shumë dhjetëshe në indeksat tuaj!

I gëzofshi bursat!