Republika e Kosovës
Republika e Kosoves

Gllogoc

Komuna e Drenasit shënon muajin ndërkombëtar të luftës kundër kancerit të gjirit

2022/10/21 - 4:04

Komuna e Drenasit shënon muajin ndërkombëtar të luftës kundër kancerit të gjirit

 

Me qëllim të sensibilizimit dhe të vetëdijesimit të qytetarëve për luftën kundër kancerit të gjirit ,ne Komunën e Drenasit është shënuar muaji ndërkombëtar i luftës kundër kancerit të gjirit me disa aktivitete.

 

Aktiviteti është mbajtur fillimisht në sallën e Kuvendit dhe takimin e ka hapur Koordinatorja e njësitit për të drejtat e njeriut në kuadër të Zyrës për Barazi Gjinore, Zahrie Podrimqaku-Subashi e cila tha se në kuadër të shënimit të muajit rozë, që ka për qëllim sensibilizimin dhe parandalimin kundër kancerit të gjirit, janë mbajtur disa aktivitete nga Komuna e Drenasit.

 

Ndërsa, Dr.Shkelzen Gashi, para të pranishmëve ka mbajtur një ligjëratë me temën “kanceri i gjirit dhe parandalimi i tij”. Të pranishmëve ju është drejtuar më një fjalë rasti edhe Kryetarja e Grupit të Grave Asambleiste, Valentina Leku-Gashi.

 

Pas takimit në sallën e Kuvendit, për nder të shënimit të këtij muaji, ka vazhduar ecja tradicionale me moton “një hap kundër kancerit të gjirit” në qytet deri në sheshin “Fehmi Lladrovci”.

 

Ky takim është organizuar nga KNJKDNJ, ZBGJ në bashkëpunim me Grupin e Grave Asambleiste, Komitetin për Barazi Gjinore dhe OJQ-të e Drenasit, ndërsa merrnin pjesë, anëtarët e Kuvendit, zonja e parë e Komunës, Shemsije Lladrovci, maturantet e mjekësisë të SHMP “Fehmi Lladrovci” dhe qytetar e qytetare të tjera nga Komuna e Drenasit.

 

Ky manifestim tradicional, ka për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë për rrezikun nga kanceri i gjirit si dhe nxitjen e institucioneve përgjegjëse për krijimin e kushteve me të mira për zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe përmirësimin e kushteve të trajtimit në Kosovë.