Republika e Kosoves

Gllogoc

Kryetari Lladrovci dhe kryeministri Hoti vizitojnë urën dëmtuar nga vërshimet në Dobroshec

2021/01/11 - 4:08

Kryetari Lladrovci dhe kryeministri Hoti vizitojnë urën dëmtuar nga vërshimet në Dobroshec

 

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci së bashku me kryeministrin Avdullah Hoti, ministrin e Mbrojtjes, Anton Quni dhe gjeneralin Cikaqi, kanë vizituar disa nga zonat e Drenasit, ku ka pasur më së shumti vërshime, pas reshjeve të mëdha në këto ditët e fundit.

 

Kryetari Lladrovci e ka njoftuar kryeministrin Hoti me angazhimin e komunës që nga dita e parë e vërshimeve, duke krijuar Qendrën Operative Emergjente dhe angazhimin e të gjitha kapaciteteve lokale në përballimin e situatës. Po ashtu ka falënderuar kryeministrin, ministrin dhe gjeneralin për përkushtimin e tyre në këto ditë të vështira të vërshimeve që janë në vend, duke u zotuar se do të bëjnë krejt çka është e mundur për minimizimin e dëmeve dhe normalizimin e gjendjes pas vërshimeve.

 

Kryetari Lladrovci ka falënderuar gjithashtu edhe ekipet të cilat që nga orët e hershme të mëngjesit, kanë ndihmuar dhe evakuuar qytetarët e rrezikuar, përkatësisht 14 familje me rreth 47 anëtarë, të cilat janë strehuar në hotelet e qytetit.

 

Kryeministri Hoti, gjatë kësaj vizite, ka konfirmuar mbështetjen e Qeverisë për të tejkaluar këtë gjendje si dhe ka njoftuar se është krijuar fondi emergjent për t’i ndihmuar të prekurit nga vërshimet.

 

Ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar kërkesën e komunës së Drenasit për montimin e urës së përkohshme në fshatin Dobroshec, ku shumë shpejt do të bëhet vlerësimi i vendit dhe situatës për monitorimin e saj.