Republika e Kosoves

Gllogoc

Kryetari Lladrovci mori pjesë në konferencën “Përfshirja e të rinjve dhe komunitetit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm”

2018/12/05 - 4:36

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci mori pjesë në konferencën me titull “Përfshirja e të rinjve dhe komunitetit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm” të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), projekt ky që financohet nga Ambasada Holandeze në Kosovë.

Kjo konferencë pati për qëllim diskutimin rreth sfidave të Kosovës në ballafaqimin me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, si dhe përfshirjen e të rinjve në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm brenda komunitetit të tyre. Këto tema ngërthejnë një spektër të gjerë të grupeve siç janë: roli i grave, nxënësve, mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave të mesme, gazetarëve dhe komuniteteve fetare në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Gjatë fjalimit të tij Kryetari Lladrovci tha se kjo konferencë, për Drenasin, mesazhet që do të dalin nga kjo, do të jenë të rëndësishme për qytetarët tanë. “Konferenca e sotme e cila ka për qëllim të diskutoj rreth “Sfidave të Kosovës në ballafaqimin me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, si dhe përfshirjen e të rinjve në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm brenda komunitetit të tyre”, nxit të menduarit tonë por edhe të vepruarit, përball kësaj sfide, të panjohur deri më tani ndër ne.

Komuna jonë, është zonë e njohur historike, që bashkë me Skenderajn, përbëjnë Drenicën, të cilën e ka ngarkuar historia për të ndërmarrë veprime të rezistencës. Kjo zonë, disponon mbamendje të fortë liridashëse, e mbrujtur me ndjenjat më të zjarrta atdhetare, andaj, këtu, ju ftoj edhe Juve nga Qendra, të takoni sa më shumë të rinj që këto ndjenja dhe pasione të të rinjve tanë, të mos keqpërdoren nga askush.

Sot, të rinjtë tanë, marrin informacione të paselektuara, duke u informuar por për fat të keq edhe duke u keqinformuar rreth solidaritetit, vatrave të krizës në botë, apo edhe për bindjet fetare apo politike. Ky informacion, ngjan të bije në duar të njoma, të pasprovuara nga rrebeshet e jetës, aq më pak, të sprovës së fundit, të luftës tonë çlirimtare.

Ne nuk e harrojmë, atë që ka ngjarë në Drenicë dhe në Kosovë. Ne nuk do të hakmerremi, por do të mbajmë mend, që ajo histori e trishtueshme të mos përsëritet. Rinia jonë, duhet të ruhet nga këto rreziqe. Arsimimi është një nga rrugët më të sigurta për rininë tonë. Por, sot, sporti dhe muzika lidh më shumë të rinjtë, se shumë veprimtari tjera.

Komuna jonë është shembull për këtë. Ne do të nxisim edhe më shumë shoqërimin e të rinjve dhe angazhimin për jetën sociale, sport dhe veprimtari kulturore, duke shtrirë solidaritetin, angazhimin si dhe përkushtimin për qytetarët sa më gjerë dhe sa më thellë.

Në ballafaqim me ekstremizmin, jo vetëm familja, por edhe shkolla, universiteti, pedagogët, psikologët, organet e rendit, gjyqësori por edhe institucionet kulturore, kanë peshë dhe rëndësi.

Edhe organizatat joqeveritare, kanë rëndësinë e vet, duke sensibilizuar të rinjtë me rreziqet e ekstremizmit dhe dhunës tek të rinjtë. Ne gjithsesi, do të angazhohemi në rend të parë për parandalimin e manifestimit të ekstremizmit. Ne i bashkohemi aktiviteteve të cilat kanë synim informimin, me rreziqet që sjell ekstremizmi dhe dhuna. Ne do të përpiqemi që asnjë i ri të mos mashtrohet nga demagogjia ekstremiste, nga manifestimi i dhunës në vend të arsimimit, sportit, kulturës dhe ngritjes me vlerat tona kulturore e tradicionale, tashmë të njohura në botë. Vetëm dy fusha po i theksoj, xhudoja dhe muzika. Motiv i mjaftueshëm të bëjmë të pamundurën për rininë tonë, të tashmen tonë, gjithsesi edhe të ardhmen” tha Kryetari Lladrovci.

Ndërsa në panel ishin edhe  Skender Perteshi, Hulumtues në QKSS dhe Shqipe Broqi, Ministria e Arsimit e Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa moderimie bëri Vesë Kelmendi, Hulumtuese QKSS.

Në fund të konferencës u bënë pyetje nga të pranishmit dhe morën përgjigje nga panelistët.