Republika e Kosoves

Gllogoc

Kryetari Lladrovci pret në takim përfaqësuesit e Bankës Botërore, vizitojnë përfituesit e projektit “Komunat për të Rinj”

2022/09/14 - 10:13

Kryetari Lladrovci pret në takim përfaqësuesit e Bankës Botërore, vizitojnë përfituesit e projektit “Komunat për të Rinj”
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bashkë me nënkryetarin Arben Shala dhe Drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, Laureta Thaqi, kanë pritur në takim drejtuesen e lartë të Bankës Botërore, Ifeta Smajic, në vizitën e saj përfitueseve të projektit “Komunat për të rinjtë”, si dhe përfaqësues nga MAPL dhe CDF.
Vizitat u realizuan të dy përfitues, Organizata “Humanus Vita” dhe te përfituesja Eldina Hasani në akademinë “Flutura”. Gjatë vizitës te përfitueset nga granti që administrohet nga Banka Botërore dhe implementohet nga MAPL, znj. Smajic u njoftua me projektet, ecurinë e tyre, sfidat, dhe angazhimin e të rinjve në këto projekte.
Kryetari Lladrovci e falënderoi për vizitën në komunën e Drenasit, dhe për bashkëpunimin në kuadër të këtij projekti, duke theksuar rëndësinë e këtij granti për të rinjtë si dhe angazhimin e tij që të vazhdoj tutje me përkrahjen e të rinjve me grante të tilla.
Znj. Smajic u shpreh e kënaqur me pritjen, dhe me projektet e dy përfitueseve, duke e uruar kryetarin për performancën e mirë, dhe bashkëpunimin me organizata si me akademinë Flutura, në mënyrë që të rinjtë të kenë një vendtakim për trajnime, dhe projekte.
Ajo theksoi se shembulli i kryetarit Lladrovci duhet të shërbejë si model edhe për komunat e tjera për krijimin e një partneriteti të tillë si i Drenasit.
Kujtojmë që ka përfunduar vetëm faza e parë e projektit, pasi deri në fund të vitit do të zhvillohet edhe faza e dytë, ku të rinjtë do të kenë mundësi të aplikojnë me projekte të ndryshme për të qenë përfitues të granteve.