Republika e Kosoves

Gllogoc

Kryetari Lladrovci uron fillimin e vitit të ri shkollor 2020/21

2020/09/14 - 1:49

Kryetari Lladrovci uron fillimin e vitit të ri shkollor 2020/21

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2020/21, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i shoqëruar nga këshilltari i Ministrisë së Arsimit, Beqir Kiqina dhe drejtorin e DKA-së, Muhamet Gjoka, kanë vizituar disa shkolla të Komunës dhe kanë uruar nxënësve, prindërve e mësimdhënësve, fillimin e vitit të ri shkollor.

Kryetari Lladrovci ka vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Rasim Kiqina”, gjimnazin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, shkollën e mesme profesionale “Fehmi Lladrovci” dhe shkollën fillore të mesme të ulët, “Gani Sylaj”.

“Të dashur nxënës, mësues, pedagog, prindër, ju uroj përzemërsisht këtë ditë të bekuar, ditën e parë të vitit të ri shkollor 2020/21. Urimet e mija shoqërohen me dëshirën e nxënies së diturive të reja, miqësive dhe sukseseve në procesin edukativo-arsimor. Besoj fort që tek Ju nxënës të dashur, tek mësuesit, se do të udhëheqni në rrugëtimin e tuaj arsimor me inkurajimin dhe motivimin e fuqishëm në nxënien e diturive të reja. Uroj sidomos fatosave, që kjo ditë e veçantë e tyre të jetë ditë gëzimi dhe t’iu mbetet si kujtim me i bukur i jetës së tyre dhe së bashku me mësuesit, prindërit t’i gëzohen mësimit, shoqërimit. Ju duhet të bëni krenar së pari familjet tuaja, vendbanimin dhe vendin, sepse ju jeni ata që do të krijoni të ardhmen e këtij vendi”, ka thënë kryetari Lladrovci në urimin e tij drejtuar nxënësve, prindërve e gjithë personelit arsimor me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2020/2021.

Për të filluar viti i ri shkollor 2020/2021, paraprakisht janë bërë të gjitha përgatitjet me Task Forcën në nivel komunal, gjithmonë të harmonizuar me rekomandimet e IKSHP-së dhe Ministrisë së Arsimit. Po ashtu është mbajtur takim edhe me gjithë drejtorët e shkollave, ku edhe është kërkuar nga ana e tyre për të raportuar mbi përgatitjet rreth fillimit të vitit të ri shkollor 2020-2021. Ndërsa ditëve të vikendit, DKA-ja së bashku me inspektorët e Ministrisë së Arsimit, kanë inspektuar të gjitha shkollat e Komunës së Drenasit për të parë nga afër se a janë plotësuar kushtet e kërkuara për fillimin e procesit mësimor. Vlen të përmendet se Komuna e Drenasit është vlerësuar nga Ministria e Arsimit si komuna e parë që ka bërë të gjitha përgatitjet në nivelin e duhur për filmimin e vitit të ri shkollor.

Ditën e hënë, të gjitha shkollat kanë qenë të gatshme për fillimin e procesin mësimor dhe në ora 08:00 janë hapur dyert për nxënësit. Në të gjitha shkollat është bërë dezinfektimi i objekteve, janë pajisur me materiale dezinfektuese të nevojshme, janë siguruar librat shkollor, po ashtu janë vendosur shenjat në hyrje të objekteve të shkollave për masat parandaluese anti-covic-19.

Në të gjitha objektet shkollore, është siguruar edhe distanca e mbajtjes së mësimit, bazuar në udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.