Republika e Kosoves

Gllogoc

Masat e reja të miratuara sot nga Qeveria për luftim dhe parandalim të COVID-19

2020/07/13 - 4:08

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur  sot mbledhjen e 13, (mbledhje elektronike), në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendime për masat që do të ndërmerren në funksion të luftimit dhe parandalimit të pandemisë COVID-19.

Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19 është për obligimin e të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre.

Vendimi obligon gjithashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.

Në vazhdim të masave tjera të luftimit dhe parandalimit të COVID-19, Qeveria ka pezulluar veprimtarin e çerdheve publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Janë obliguar të gjitha qendrat tregtare në territorin e Republikës së Kosovës që veprimtarinë tregtare ta ushtrojnë prej orës 05:00 të mëngjesit deri në orën 21:00, duke zbatuar në përpikëri kushtet sipas Manualit për mbrojtje nga COVID-19, e mbi të gjitha mbajtjen e detyruar të maskave dhe krijimin e kushteve për distancë fizike të konsumatorëve.

Vendimi i miratuar nga Qeveria e Kosovës pezullon punën e tregjeve publike të automjeteve dhe tregjet e kafshëve, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës,

Janë pezulluar ceremonitë fetare, si dhe grumbullimi i më shumë se 5 personave në sheshe publike, parqe dhe të ngjashme.

Të gjithë operatorët e shërbimeve komunale, financiare, elektronike dhe postare janë të obliguar që të ofrojnë shërbime me orar dhe staf minimal, ndërsa qytetarët mbi moshën 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike (diabet, hipertensioni arterial dhe sëmundje zemre, sëmundje kronike të mushkërive, pacientët më sëmundje të veshkave, pacientët me imunitet të suprimuar, pacientët onkologjikë etj.) mund të dalin jashtë në ambiente publike vetëm në orët e hershme të mëngjesit nga orës 05:00 deri në orën 10:00 dhe në orët e mbrëmjes nga ora 18:00 deri në orën 21:00.

Burimi: https://kryeministri-ks.net/qeveria-miraton-vendime-per-masa-te-reja-te-luftimit-dhe-parandalimit-te-covid-19/