Republika e Kosoves

Gllogoc

Mbahen dëgjimet buxhetore për të diskutuar Draft-Kornizën Afatmesme Buxhetore 2025-2027

2024/06/13 - 3:34

Mbahen dëgjimet buxhetore për të diskutuar Draft-Kornizën Afatmesme Buxhetore 2025-2027

 

Komuna e Drenasit, ka mbajtur sot gjatë ditës dëgjimet buxhetore me qytetarë, ku është diskutuar draft Kornizën Afatmesme Buxhetore dhe draft listën e projekteve për vitin 2025 dhe projeksionet për vitet 2026 dhe 2027.

 

Në këtë dëgjim buxhetor, merrnin pjesë, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, drejtor të drejtorive komunale, administratorë të vendbanimeve, këshillat lokale, shoqata të grave, të rinj, pensionist, persona me aftëesi të kufizuara, punëtor shëndetësor, biznese, fermerë, OJQ shoqëri civile, klubet sportive, klubet artistike dhe shumë qytetarë.

 

Dëgjimet publike për të diskutuar Kornizën Afatmesme Buxhetore 2025-2027 janë mbajtur në Sallën e Kuvendit dhe takimet i ka prezantuar Udhëheqësi i Zyrës për Komunikim me Publikun, Bekim Dobra, i cili ka përshëndetur takimet dhe ka treguar para të pranishmëve arsyen e këtyre dëgjimeve dhe rregullat e takimit.

 

Të pranishmit i ka përshëndetur kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, i cili ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e treguar dhe ka shtuar se takimet e tilla, kanë një rëndësi shumë të veçantë, sepse merren parasysh kërkesat fillestare direkt nga të pranishmit për projektet kapitale.

 

Të pranishmit, gjatë debatit për projeksionet buxhetore për vitet 2025-2027, kanë paraqitur kërkesat e tyre për investimet kapitale në infrastrukturë, ku kryesisht kërkesat ishin të fokusuara në projektet që kanë të bëjnë më rregullimin e infrastrukturës, kanalizimit, ujësjellësit, mirëmbajtjen e projekteve paraprake, rregullimin e qendrave rekreative, trotuare e ndriçim publik.

 

Të pranishmit, para vetës për të diskutuar kanë pasur draft listën e investimeve kapitale dhe një informatë të përgjithshme të buxhetit për vitet e ardhshme.

 

Buxheti i përgjithshëm i Komunës për vitin 2025 është 22,133,550.00 euro, ndërsa nga kjo shumë, për investime kapitale janë planifikuar 7,308,940.00 euro. Nga aspekti ekonomik i shpenzimeve do të këtë 5 kategori kryesore të shpenzimeve, ndërsa në aspektin funksional në 20 programe-nënprograme.

 

Këto janë dëgjimet e para me grupe të përfaqësuara dhe qytetarë, ku është diskutuar Korniza Afatmesme Buxhetore 2025-2027, ndërsa para se buxheti të miratohet në Kuvendin Komunal, ekzekutivi dhe legjislativi do të zhvendosin dëgjimet në Bashkësi Lokale për të diskutuar buxhetin dhe listën e investimeve kapitale me qytetarë. Kurse në mbledhjen e këtij muaji, KAB-i do të diskutohet në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa dhe në mbledhjen e Kuvendit Komunal ku edhe pritet të miratohet.