Republika e Kosoves

Gllogoc

Mbahet Akademia solemne kushtuar demonstratave të vitit 1981

2021/04/02 - 11:24

Mbahet Akademia solemne kushtuar demonstratave të vitit 1981

Në sallën e Kulturës në Drenas, të premten është mbajtur Akademia solemne kushtuar shënimit të 40 vjetorit të demonstratave të vitit 1981, ku merrnin pjesë shumë veprimtar e atdhetar, pjesëmarrës të demonstratës së 2 prillit të vitit 1981, shoqata të dala nga lufta, përfaqësues të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, KFOR-i dhe shumë qytetarë.

Para të pranishmëve, fjalë rasti kanë mbajtur, aktivisti i asaj kohe Milaim Zeka, historiani Lulzim Nika dhe kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci.

Fjalimi i kryetarit Ramiz Lladrovci;

Të nderuara familje të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë, Veteranë e invalidë të dashur të UÇK-së, Arsimtar e veteranë të arsimit, Veprimtar e atdhetarë, pjesëmarrës të demonstratës së 2 prillit të vitit 1981,

 

Të dashur qytetarë, Zonja e zotërinj, Motra e vëllezër,

 

Jemi sot këtu për të shënuar, 40 vjetorin e demonstratës së 11 marsit dhe 1 e 2 prillit të vitit 1981, për të kujtuar rezistencën e trimërinë e pashoq dhe atdhetarizmin e rinisë dhe qytetarëve tanë që shpërtheu në pranverën shqiptare.

 

Ishte kjo pranverë që shënohej pas gati katër dekadash të socializmit jugosllav që me çdo mjet donte të heshtej çështja e pazgjidhur kombëtare e shqiptarëve dhe Kosovës në veçanti.

 

Ai regjim, as nuk e kishte dëshirën ta bënte, as e kishte vullnetin e as gatishmërinë, për të përmbushur kushtet elementare të shqiptarëve për barazi, për ruajtjen e identitetit dhe zhvillimit të pavarur ekonomik.

 

Andaj, rinia studentore më 11 mars, 1 e  2 prill të vitit 1981, si pasardhëse e ideve dhe rezistencës së viteve të qëndresës tonë, më 1945 e 1946, 1956 dhe 1968, shpërtheu si asnjë herë më parë, në rrugë, në barrikada dhe ballafaqim të hapur me regjimin jugosllav.

 

2 prilli 1981 në Drenas, ishte ditë që vlonte nga urrejtja për okupatorin, për regjimin jugosllav dhe veglat e saj. Ajo ditë, ishte ditë e ndarjes përgjithmonë nga ai pushtet gjakatar që natën të vriste e ditën të qante. I erdhi fundi dilemave, liria ishte më e vlefshme se jeta.

 

Nxënësit e gjimnazit të viteve të dyta e kanë filluar demonstratën në paralelet e ndara në Çikatovë të Re, sepse të gjithë nxënësit e vitit të dytë mësonin në ato paralele të ndara.

 

Ata kanë ardhur në Gjimnaz, dhe në kohën e pushimit të gjatë (pas orës së tretë para dite, ku mësonin klasat e para) i bashkëngjiten demonstratës shumica e nxënësve. Me atë rast, në oborrin e shkollës mban një fjalim Enver Dugolli, i cili prezantoi qëndrimet tona. Ai kishte hipur mbi makinën e Profesorit, Fatmir Krasniqi, shokut e bashkëveprimtarit të Fehmiut, të Azemit e Gani Sylës dhe atdhetarëve tjerë, duke i lexuar kërkesat e demonstruesve.

 

Kërkesat ishin të qarta dhe të përkrahura plotësisht nga ne nxënësit dhe qytetarët që në esencë, ishte Kosova Republikë, të drejtat tona si shqiptarë dhe të mos eksploatoheshim nga të tjerët.

 

Nga aty jemi drejtuar për në Qendër të qytetit ku në qendër të qytetit pas një përleshje me policinë na zmbrapsën duke na ndjekur në drejtim të Çikatovës së Re. Deri në mesditë bëjmë rezistencë me vitet e para dhe të dyta dhe kur na u bashkuan edhe vitet e treta dhe të katërta, ne provuam të hyjmë në qendër të Drenasit për t’ju drejtuar fabrikës së Feronikelit, por pa sukses.

 

Por duke përdorur hekurudhën nga Strubullova kalojmë përmes Drenasit dhe arrijmë te Fabrika e Feronikelit. Atje na bashkohen punëtoret edhe fabrikës dhe masivizohet demonstrata.

 

Në atë kohë kishin ardhur një njësi speciale e Serbisë të cilën e zmbrapsëm edhe pse kanë gjuajt me armë duke plagosur rëndë Bahtiar Osmani nga Zabeli. Ne i zmbrapsem ata duke arritur t’ua marrim edhe armëtn një kallashnikov, ndërsa njërin nga policët t’i japim një rrahje të paharruar.

Kjo njësi speciale u detyrua të ikte me kokë ulur për në Prishtinë në këmbë përmes Poklekut të Vjetër, Korroticës së Lartë në drejtim të Prishtinës.

 

Demonstrata u masovizua duke ju bashkëngjit nxënësve edhe punëtorë të Feronikelit dhe qytetarë të shumtë të komunës së Drenasit dhe zgjati deri në orët e vona.

 

Emrat e shumë nxënësve organizatorë, djem e vajza meritojnë t’ju përmendet emri, por për të mos ju hyrë në hak ndonjërit, nuk do të doja ta veçoja ndonjë.

 

Por, e kam në kujtesë se kur ka filluar demonstrata në Gjimnaz, unë së bashku me Blerim Muqollin e shumë nxënës tjerë kërkuam të na jepet flamuri kombëtar i shkollës, pasi nuk na u dha e thyem derën e dhomës ku mbaheshin flamujt, i shqyem flamujt tjerë dhe morëm flamurin tonë kombëtar dhe dolëm në oborr të shkollës. Flamurin e mbajtëm gjatë gjithë ditës në ballë të demonstratave.

 

Me flamurin kombëtar në ballë, na u bashkua hipur në kalë, atdhetari Zenë Shala nga Vuçaku, i cili si një kreshnik, hipur në kalë, me tirqit dhe plisin e bardhë, u vu në krye të demonstratës, duke e bërë të paharrueshme edhe demonstratën, edhe aktin e tij. Unë, si pjesëmarrës aktiv i kësaj demonstrate në atë kohë, unë kam qenë në vitin e parë të shkollës së mesme, si 15 vjeçar.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Drenasi ishte ndër komunat e para që vijoi demonstratën në përkrahje të studentëve në Prishtinë, nga 11 marsi e 1 prilli, që nuk do të shuhej deri në çlirimin e vendit, më 1999. Për këtë, të gjithë ne jemi krenar.

 

Sot, në emrin tim dhe të qytetarëve të komunës së Drenasit, në këtë përvjetor krenarie, shpreh nderim për të gjitha familjet e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë, armatën e pasosur të veprimtarëve dhe atdhetarëve që dhanë jetën për liri, që nga kjo demonstratë, por edhe më herët, vijuan me veprimtari atdhetare deri në çlirimin e vendit dhe sot, shtetndërtimin.

 

Dua të shpreh respekt për dhjetëra të vrarë, e qindra e mijëra të burgosur e të izoluar, të lënduar e të torturuar nga pushteti kriminal, për këtë demonstratë e pjesëmarrjen në rezistencë anë e kënd Kosovës deri në çlirimin e vendit.

 

Nga komuna jonë, me dënime të rënda si organizator u dënua Jakup Krasniqi me 15 vjet, Gani Syla me 15 vjet, Ismail Syla me 12 vjet, Fehmi Plakiqi me 5 vjet, Azem Syla me 4 vjet, Xhevdet Syla me 4 vjet dhe Fatmir Krasniqi me 4 vjet, ndërsa si protestues në Drenas, u dënua Skender Ahmeti-Bardhi dhe Fatime Seniku e shumë të tjerë.

 

Njëkohësisht, shpreh keqardhje për ata që duan ta shtrembërojnë historinë madje edhe të kësaj demonstrate, por edhe t’i japin vetes merita të paqena. Ndonjëri që ishte i përkëdhelur i ish sistemit, sot na përrallisin me ligjërata për këto ngjarje historike dhe të paharrueshme për të gjithë ne pjesëmarrësit.

 

Sot, me këtë shënim jubilar të rezistencës së qytetarëve të komunës tonë, kundër regjimit jugosllav, me demonstratën e 2 prillit 1981, jemi krenar, sepse i ka kontribuar zjarrit të lirisë që nuk do të ndalej, deri në çlirimin e plotë të vendit, deri në paraqitjen e krenarisë tonë, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!

 

Nderim i përjetshëm për të gjithë atdhetarët që kontribuan me rezistencë dhe veprimtari atdhetare dhe çlirimin e vendit!

Faleminderit!