Republika e Kosoves

Gllogoc

Mbahet mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB)

2020/06/25 - 5:04

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e tretë të rregullt për këtë vit të cilën e kryesoi nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi.

Të pranishëm ishin shumica e anëtarëve e KKSB-së, dhe përfaqësues nga KFOR-LMTK9.

Pikat e rendit të ditës të cilat u diskutuan ishin:

  1. Procesverbali i mbledhjes së rregullt të KKSB-së të mbajtur me 20.05.2020;
  2. Njoftim për masat e ndërmarra nga Drejtoria e Arsimit për testin e arritshmërisë;
  3. Masat e ndërmarra nga Drejtoria e Inspeksionit për parandalim të përhapjes së pandemisë;
  4. Të ndryshme.

Procesverbali i mbledhjes së rregullt të KKSB-së të mbajtur më 20.05.2020 u miratua unanimisht, pa vërejtje.

Me këtë  rast nënkryetari Hasi  i informoi  të pranishmit me veprimet e ndërmarra nga Komuna që nga data 13 mars, kur u shpall situata e emergjencës shëndetësore në Kosovë, dhe për gjendjen aktuale me të infektuar. Nënkryetari Hasi tha se në sajë të përkushtimit të punës së Shtabit Emergjent  Drenasi nuk u bë vatër e përhapjes se infeksionit, ndërsa 10 të infektuar  të cilët janë aktualisht nga komuna jonë, janë raste kontakti si pasojë e punës në kolektive të mëdha.

Për pikën e dytë, drejtori i Drejtorisë për Arsim, Muhamet Gjoka, i njoftoi të pranishmit se  testi i arritshmërisë   dhe ai  i maturës janë shtyrë për në fund të muajit gusht, por që situata mund të ndryshojë varësisht nga gjendja pandemike. Drejtoria Komunale e Arsimit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për dezinfektimin eventual, për furnizim me maska dhe material të nevojshëm higjienik në mënyrë që të  gjithë  nxënësit  të kenë mundësi të marrin pjesë në test.

Po ashtu, drejtori Gjoka, i njoftoi të pranishmit se drejtoria ka pranuar raporte ditore nga shkollat për ecurinë e mësimit on-line në përgjithësi, dhe për  mbarëvajtjen e mësimit on-line  për nxënësit e shkollave të mesme që rezulton të ketë qenë  aktivitet i suksesshëm për kushtet dhe rrethanat në të cilat është zhvilluar.

Për pikën e tretë, raportoi drejtori i Drejtorisë për Inspeksion, Milaim Hajdari, i cili tha se kjo drejtori ka inspektuar zbatimin e  vendimeve të marra nga niveli qendror dhe ai lokal, dhe  falënderoi të gjitha institucionet tjera për bashkëpunimin e ofruar, veçanërisht policinë e Drenasit. Drejtori Hajdari, në mënyrë të detajuar i njoftoi të pranishmit për veprimet e marra nga kjo drejtori si:  mbyllje të lokaleve dhe institucioneve, kontrolle sanitare, procesverbale të lëshuara, aktvendime, gjoba mandatore, zbatim  të urdhrave për ndalim qarkullimi dhe ankesa të konsumatorëve për ngritje çmimi apo ankesa tjera.

Ndër çështjet tjera të ngritura në takim ishin  edhe ankesat e qytetarëve të fshatit Baicë, respektivisht lagjes Ramadani dhe Elshani, për ndotjen që vjen nga gurthyesi i cili gjendet në këtë fshat, si dhe për dëmet e shkaktuara në objektet e banimit si pasojë e minimeve nga ky biznes. Një çështje tjetër e cila u ngrit, ishte edhe  operimi i transportit ilegal të kombave, një veprimtari e cila përveç të tjerash paraqet edhe shqetësim për sigurinë e udhëtarëve.