2023/03/08 - 4:49
Nënshkruhen kontratat me përfitueset gra nga Komuna e Drenasit në projektin INTEGRA
Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, së bashku me përfaqësuesit e Fondacionit për Zhvillim të Qëndrueshëm Ekonomik – PREDA Plus, kanë pritur në takim përfituesit nga projekti “INTEGRA-Nxitja e riintegrimit të qëndrueshëm lokal të grave, të rinjve dhe njerëzve të cenueshëm lokal në Kosovë”, ku edhe janë nënshkruar kontratat për fillimin e start-up bizneseve të tyre, ku përfituese janë 6 gra ndërmarrëse të reja.
Nënkryetari Shala ka uruar përfitueset e këtij projekti dhe u ka uruar suksese në fillimin e biznesit me shpresën që këto biznese të jenë të qëndrueshme dhe konkurrueshme në tregun kosovar. Nënkryetari Shala ka shtuar se komuna do të vazhdojë në mbështetjen e iniciativave të reja që kanë për qëllim përkrahjen e të rinjve dhe grave në biznes, për të jetësuar idetë e tyre, në mënyrë që të gjenerojnë të ardhura për familjet e tyre.
Nga projekti INTEGRA për vitin 2023 janë gjashtë përfituese gra nga Komuna e Drenasit të cilat janë përkrahur për hapjen e start-up bizneseve me pajisje në vlerë prej 2500 euro.
Paraprakisht, kryetari Lladrovci ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e projektit “Integra” që financohet nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik –BMZ dhe zbatohet nga Fondacioni për Zhvillim të Qëndrueshëm Ekonomik – PREDA Plus Kosovë në partneritet me WEntrepreneur Kosovë dhe me mbështetjen e Arbeiter Samariter Bung – ASB.
Po ashtu për përfituesit, është mbajtur edhe sesioni informuar për skemën e garantëve për personat e riatdhesuar.