Republika e Kosoves

Gllogoc

Përurohet renovimi i çerdhes së qytetit në Drenas, donacion nga TIKA

2018/04/25 - 3:25

Është bërë përurimi i çerdhes së qytetit “Ardhmëria” në Drenas, donacion i organizatës turke TIKA. Në përurimin e objektit, merrnin pjesë, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilçim Kiliç dhe drejtori i TIKA, Hasan Burak Ceran.

 

Kryetari Lladrovci ka falënderuar ambasadoren e Turqisë për bashkëpunim të mirë që kanë me Komunën e Drenasit, drejtorin e TIKA-së dhe stafin e saj që kanë mundësuar rregullimin e brendshëm të çerdhes. Kryetari Lladrovci ka vlerësuar realizimin e këtij projekti dhe ka thënë se me realizimin e tij, fëmijët do të kenë një ambient dhe kushte me të mira. Lladrovci është zotuar se Komuna e Drenasit do të vazhdoj bashkëpunimin edhe në projekte të tjera ne të mirën e qytetarëve të Komunës së Drenasit.

 

Ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç, ka thënë se renovimi dhe rregullimi i këtij objekti është i një rëndësie të veçantë pasi që është për të mirën e fëmijëve që të kenë një ambient me të mirë. Ajo ka shtuar se Ambasada e Turqisë në Kosovë do të ndihmoj dhe përkrah në projekte të ndryshme në Kosovë dhe në Drenas. Kiliç ka falënderuar kryetarin Lladrovci për përkrahjen që ka dhënë në realizimin e këtij projekti dhe  organizatën TIKA që është duke bërë investime në Kosovë, sidomos në fushën e arsimit.

 

Ne kuadër të këtij projekti është bërë renovimi i gjithë objektit të brendshëm dhe të jashtëm. Janë rinovuar 6 klasat e fëmijëve, korridori, kuzhina, banjot dhe korridoret, ndërrimi i të gjitha dyerve të brendshme, izolimi i dyshemesë, ndërrimi i laminatit, renovimi i mureve, lyerja, ndërrimi i ndriçimit, është sjellë i gjithë inventari i ri dhe janë sjellë lodra të reja dhe është bërë ngjyrosja e jashtme e objektit.