Republika e Kosoves

Gllogoc

Programi Nacional për Rininë do të realizohet edhe në Drenas

2018/11/29 - 5:23

Programi Nacional për Rininë do të realizohet edhe në Drenas

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i shoqëruar nga Drejtori i Arsimit Tafil Halilaj dhe shefin e Kabinetit Flamur Curri, kanë pritur në takim zëvendësministrin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri, Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hotin dhe Këshilltaren e Koordinatorin Nacional, Arbenita Bungu.

Kryetari Ramiz Lladrovci dhe Koordinatori Nacional Rexhep Hoti, kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi për avancimin e pozitës se të rinjve në sport, kreativitetet kulturore dhe mendim kritik si dhe në dituri.

Kryetari Lladrovci ka falënderuar zëvendësministrin Guri dhe Koordinatorin Hoti për bashkëpunimin e ofruar në fushat e arsimit, kulturës dhe sportit dhe ka vlerësuar se ky bashkëpunim do të rris edhe me tutje avancimin e të rinjve në fushat që ata tregojnë suksese. Lladrovci ka thënë se komuna do ta përkrah me të gjitha kapacitetet e nevojshme realizimin e Programit Nacional për Rininë.

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti tha se është kënaqësi teksa sheh se si kryetarët e komunave po përkrahin një program që target ka rininë edhe punojnë për të ardhëm e tyre. “Në kuadër të kuadër të programit Nacional për Rininë do të organizohen gara në tri fusha kryesore: dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik si dhe në sport. Roli i komunës në realizimin e këtij programi është i rëndësishëm prandaj e falënderoj kryetarin Lladrovci për mbështetje”, tha Koordinatori Hoti.

Kurse zv.ministri Guri i cili tha se ky program ka një shtrirje të gjerë ku përfshihen prindërit, shkollat, mësimdhënësit e drejtorit komunale. Ai pret që përmes këtij programit të përmirësohen rezultatet e vlerësimeve të jashtme.

Qëllimi i kësaj marrëveshje bashkëpunimi është përcaktimi i angazhimeve të ndërsjella të palëve në realizimin e projekteve konkrete në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit në Komunën e Drenasit. Kjo marrëveshje bashkëpunimi synon përforcimin e kapaciteteve intelektuale, kulturore e sportive të rinisë kosovare, si dhe promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të interesit të përbashkët të të dyja palëve.