2022/09/08 - 9:21
Komuna e Drenasit, përkatësisht Kuvendi Komunal dhe Komitetit për Politikë dhe Financa në bashkëpunim me Ekzekutivin e Komunës, kanë vazhduar në mbajtjen e dëgjimeve buxhetore me qytetarë për të diskutuar lidhur me listën e projekteve kapitale për vitin 2023 dhe projeksionet për vitet 2024-2025.
Në këto dëgjime buxhetore merrnin pjesë, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Milaim Hajdari, nënkryetari i Komunës, Arben Shala, drejtorë të drejtorive komunale, disa anëtar të Kuvendit, administrator të vendbanimeve dhe qytetarë.
Fillimisht, dëgjimi buxhetor është mbajtur në bashkësinë lokale të Dobroshecit me banorë të fshatrave; Gradicë, Likoshan, Gllanasellë, Godanc, Dobroshec dhe Çikatovë e Vjetër, pastaj takimet kanë vazhduar edhe në bashkësinë e Tërstenikut me banorë të Tërstenikut I dhe II, Shtuticës, Vërboc e Polluzhë. Po ashtu dëgjimet buxhetore për listën e investimeve kapitale janë mbajtur edhe në bashkësinë e Baicës me banorë të fshatrave, Abri, Tërdec, Baicë, Krajkovë e Damanek.
Të pranishmit në këto dëgjime buxhetore kanë paraqitur kërkesat dhe nevojat e tyre për të cilat kanë kërkuar të futen në Projektet Kapitale 2023- 2025. Të gjithë të pranishmit janë pajisur me materialet e nevojshme për të diskutuar. Ata para vetës kanë pasur draft-listën e projekteve kapitale si dhe draft-buxhetin për vitet 2023-2025 dhe pasi kanë paraqitur kërkesat e tyre kanë marrë përgjigje për kërkesat e parashtruara.
Buxheti i përgjithshëm i Komunës për vitin 2023 është 18.156.892.00 euro, ndërsa nga kjo shumë për investime kapitale janë planifikuar 6.335.649.00 euro apo 34.89%.
Dëgjimet buxhetore për projektet kapitale do të mbahen edhe ditën e premte ( nesër më datë 09.09.2022), ku nga ora 10:00 në shkollën e fshatit Arllat, “Abedin Bujupi” do të mbahet dëgjimi me banorët e fshatrave; Arllat, Llapushnik, Negroc, Vuçak dhe Gjurgjicë.
Në ora 13:30 në shkollën “Xheladin Gashi-Plaku” në Komoran do të mbahen dëgjimet me banorët e fshatrave; Komoran I, II, III dhe IV, Kizhnarekë, Nekoc, Fushticë e Ulët dhe e Epërme, Korroticë e Ulët dhe e Epërme, Zabel i Ulët dhe i Epërm dhe Sankoc.
Ndërsa po me këtë datë (09.06.2022) duke filluar nga ora 15:00 në shkollën “Rasim Kiçina” në Drenas do të mbahet dëgjimi buxhetor me banorët e Drenasit I, II dhe III, Poklek i Ri dhe i Vjetër, Vasilevë, Gllobar dhe Shtrubullovë.
Inkurajohen gjithë qytetarët e vendbanimeve të lartcekura të marrin pjesë në dëgjimet buxhetore dhe të dhënë rekomandimet e tyre për Projektet Kapitale 2023-2025.
Këto Dëgjime Buxhetore për Projekte Kapitale janë duke u organizuar nga Zyra e Kuvendit të Komunës së Drenasit.