Republika e Kosoves

Gllogoc

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland viziton Xhaminë e fshatit Zabel të Komunës së Drenasit dhe benë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz

2019/01/03 - 4:12

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland viziton Xhaminë e fshatit Zabel të Komunës së Drenasit dhe benë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz

Qytetar nderi i Komunës së Drenasit, përkatësisht zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian,Rainer Wieland ka vizituar Xhaminë e fshatit Zabel i Ulët të Komunës së Drenasit, ku është pritur nga Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas njëherit edhe imam i Xhamisë së fshatit Zabel i Ulët, Valon Bequku dhe kryesia e Bashkësisë Islame në Drenas.

Gjatë qëndrimit në Xhaminë e fshatit Zabel i Ulët, Wieland, ka përgëzuar qytetarët e Komunës së Drenasit për tolerancën fetare që kanë dhe ka thënë se për këtë ndjehet i lumtur që është qytetar nderi i Komunës së Drenasit.

“Drenasi shquhet për tolerancë fetare dhe për këtë përgëzojë gjithë komunitetin e këtij vendi që tregojnë respekt ndaj njëri tjetrit. Ndihem shumë mirë që i përkas titullit me të mirë të mundshëm, qytetar nderi i kësaj Komune”, ka thënë Wieland.

Kryetari i BIK-ut në Drenas, Valon Bequku, ka falënderuar zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian për vizitën që i ka bërë Xhamisë së fshatit Zabel i Ulët dhe ka treguar për tolerancën fetare e cila ekziston në Komunën e Drenasit. Bequku ka informuar Wielandin edhe për organizimin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas, për shtrirjen e objekteve fetare dhe bashkëpunimin me institucionet komunale.

Zv.presidenti i PE-së, Rainer Wieland, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari kanë bërë homazhe dhe kanë venë kurora me lule në Kompleksin Memorial në Prekaz.