Republika e Kosoves

Graçanicë

E drejta për ndihmë sociale e rregulluar me Ligjin për skemën e ndihmës sociale

2019/07/22 - 7:13

Në Qendrën Rinore të romëve në Graçanicë u mbajt takimi në të cilin është diskutuar për mjetet juridike dhe mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, me fokus në realizimin e të drejtave për ndihmë sociale financiare.

Në emër të Komunës së Graçanicës, në këtë takim morën pjesë zëvendës kryetari i komunës, Sasha Daniq, zyrtarja e Qendrës për Punë Sociale “Graçanicë”, me seli në Llapllasellë, Sonja Neshiq dhe përfaqësuesi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, Leutrim Ajeti.

Të pranishmëve së pari iu është drejtuar zëvendës kryetari i komunës së Graçanicës, Sasha Daniq, i cili theksoi se qeverisja lokale është e përkushtuar në avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë.

“Pikërisht për këtë qëllim takimet e tilla shërbejnë, pra të diskutohet në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë për problemet aktuale, në mënyrë që të gjithë të punojnë së bashku në zgjidhjen e tyre pavarësisht përkatësisë së tyre kulturore, etnike, fetare. Dyert e  Komunës së Graçanicës janë të hapura për të gjithë, sepse të gjithë kemi të njëjtat probleme dhe ne duhet të luftojmë së bashku dhe të jetojmë së bashku”, tha Daniq.

Në takimin e sotëm më shumë është folur për të drejtën në ndihmë sociale. Për kushtet dhe kriteret e realizimit të ndihmës sociale financiare nga familjet e rrezikuara ka folur në detaje zyrtarja e Qendrës për Punë Sociale “Graçanicë”, me seli në Llapllasellë, Sonja Neshiq.

“Ndihma sociale është e rregulluar me Ligjin për skemën e ndihmës sociale në Kosovë. Palët janë të pakënaqura kur refuzohen, por ato duhet të kuptojnë se kjo nuk iu mohohet nga zyrtarët ose Qendra për Punë Sociale si institucione, por me rregulla ligjore. Çështja është nëse ligji është i rreptë apo jo, por lidhur me këtë duhet të punohet nga instancat më të larta para miratimit të tij”, tha Neshiq.

“Skema e ndihmës sociale përcakton se ajo i jepet ekskluzivisht familjeve të varfra, jo një individi. Kemi raste kur njerëzit vijnë për një anëtar të sëmurë, por është specifikuar se ndihma sociale nuk i jepet individit, por familjes. Shpesh njerëzit e përziejnë ndihmën sociale me shtesat e fëmijës, sepse një nga kushtet është që të keni një fëmijë nën pesë vjeç. Kjo nuk është shtesa e fëmijëve, por një shtesë që familja e merr në një vlerë prej pesë euro nëse hyn në Programin e ndihmës sociale”, shtoi ajo.

Znj. Neshiq theksoi se pala para se ta paraqesë kërkesën është e detyruar që ta përgatisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. “Ne jemi të detyruar tꞌi fusim të gjitha këto në databazë. Prandaj është shumë e rëndësishme që parashtruesi i kërkesës të jetë i sinqertë, sepse nëse në terren i konstatojmë  faktet e ndryshme, pala mund të refuzohet. Është e rëndësishme të shënohen të gjithë anëtarët e familjes dhe adresa e saktë. Nuk mund të themi për dikë që ai është prind vetëushqyes, nëse nuk ka aktvendim të gjykatës dhe të ngjashme”, tha Neshiq.

Ajo shtoi se nëse dikush nuk i posedon dokumentet e nevojshme, zyrtari nuk është i detyruar të pranojë kërkesën, por palës duhet tꞌia ofrojë të gjitha informatat e nevojshme në mënyrë që ajo t’i realizojë të drejtat e saj.

Ligji për skemën e ndihmës sociale mund të shikohet këtu.

Përfaqësuesit e organizatave nga fusha e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve – Zyra e Avokatit të Popullit dhe Zyra Rajonale për Ndihmë Juridike Falas morën pjesë në takimin në Qendrën edukative të romëve, ku ua shpjeguan të pranishmëve mundësitë për realizimin e të drejtave të tyre.

Takimi u organizua nga organizata Advancing Together (AT) me mbështetjen e UNHCR-it.