Republika e Kosoves

Graçanicë

U mbajt Komiteti për Shërbime Publike

2020/08/10 - 10:44

Në sallën e Kuvendit Komunal të Graçanicës u mbajt mbledhja e Komitetit për Shërbime Publike, në të cilën u diskutua për projektet dhe problemet aktuale infrastrukturore dhe komunale.  

Vlladica Trajkoviq, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Graçanicës, u përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Komitetit të Shërbimeve Publike dhe i njoftoi ata me situatën aktuale. Duke folur për infrastrukturën, Trajkoviq theksoi se qeverisja lokale në periudhën e kaluar theksin më të madh ia dha asfaltimit të rrugëve lokale. Sipas tij, falë Drejtorisë së Urbanizmit, në pothuajse të gjitha vendbanimet në komunën e Graçanicës, janë asfaltuar rrugët e mbetura ose ato prioritare, ndërsa në disa vende janë vendosur “policët e shtrirë”, që ishte kryesisht kërkesa e banorëve dhe këshillave lokale.

“Përveç asfaltimit, kemi punuar edhe në mbushjen e gropave nëpër rrugë, kështu që i kemi riparuar shumicën prej tyre. Së shpejti do të punohet në freskimin e vendkalimeve për këmbësorë dhe sinjalizime të tjera”, tha ai.

Drejtori Trajkoviq tha se ndriçimi publik mirëmbahet rregullisht dhe se punëtorët i përgjigjen çdo  thirrjeje dhe i riparojnë prishjet, ndërsa aktualisht po punohet në realizimin e projektit të instalimit të ndriçimit në ato vende ku ndriçimi mungon. Së shpejti pritet shpallja e tenderit për këtë.

Duke folur për gjendjen e shtratit të lumenjve, Trajkoviq tha se po punohet në rregullimin e shtratit të lumit Graçanka përmes Graçanicës, ndërsa së shpejti do të fillohet me rregullimin e rrjedhjës së lumenjve që kalojnë përmes Llapllasellës.

“Sa i përket largimit të mbeturinave dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike, kjo punë i takon ndërmarrjes “Ekologjia” dhe së bashku ne po përpiqemi që ta zgjidhim çdo problem të raportuar komunal”, tha Trajkoviq.