Republika e Kosoves

Graçanicë

U mbajt mbledhja e KK të Graçanicës

2020/07/01 - 11:50

Sot, Kuvendi Komunal i Graçanicës mbajti mbledhjen e katërt të rregullt. Me një shkëmbim konstruktiv të mendimeve dhe diskutim për rendin e ditës, të gjitha pikat e propozuara u miratuan njëzëri.

Asamblistët e Kuvendit Komunal të Graçanicës miratuan procesverbalin nga mbledhja e parë e jashtëzakonshme, e mbajtur më 10 qershor 2020, pas së cilës drejtori i Drejtorisë së Financave, Sllavisha Niçiq, prezantoi Kornizën afatmesme buxhetore për periudhën 2021-2023, e cila u mbështet njëzëri nga asamblistët.

Asamblistët e KK të Graçanicës njëzëri pranuan propozimin e drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike për lirimin nga pagesa e qirasë për hapësirat afariste në pronësi të Komunës së Graçanicës gjatë kohëzgjatjes së pandemisë me virus, ku pastaj drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës, Brankica Niqiq, paraqiti raportin vjetor të punës.

Duke paraqitur raportin para asamblistëve, drejtoresha Niqiq përmendi arritjet e drejtorisë që ajo e udhëheq, duke theksuar si më të rëndësishmin rindërtimin e shkollës fillore në Graçanicë, si dhe ndërtimin e aneksit në këtë shkollë, blerjen e kaldajës, pajisjeve të IT-së për shkollat dhe përfundimin e fazës së dytë të rindërtimit të Shtëpisë së kulturës në Llapnasellë. Ajo gjithashtu theksoi se Komuna e Graçanicës organizoi dhe ndihmoi në organizimin e mbi 270 ngjarjeve gjatë vitit 2019, si dhe se procedura për ndarjen e subvencioneve për organizatat joqeveritare ishte përfunduar me sukses dhe ishte transparente.

Si sfidë më e madhe ende mbetet përfundimi i Qendrës së shkollave të mesme në Llapnasellë. Sipas drejtoreshës së Arsimit, punimet janë ngadalësuar për shkak të pandemisë me koronavirusin, por ajo shpreson se me fillimin e vitit të ri shkollor, nxënësit do të zhvendosen në ndërtesën e re.

Asamblistët e KK të Graçanicës njëzëri miratuan raportin në fjalë.

U shqyrtua dhe u miratua edhe raporti vjetor i punës së Komitetit për Shërbime Publike, i propozuar nga kryetarja e komitetit, Marija Shubariq.

Më pas, asamblistët formuan grupin punues për hartimin e planit të veprimit për procedurën transparente të buxhetimit, ku pastaj ata mbështetën ndryshimin në Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, si dhe vendimin për dhënien e pëlqimit për lidhjen e kontratës për ofrimin e shërbimeve.

Përfaqësuesit e ndërmarrjes së sapoformuar për shërbime publike “Ekologjia”morën pjesë gjithashtu në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Graçanicës.

Mbledhja u mbajt në sallën e madhe të Shtëpisë së kulturës në Graçanicë, duke respektuar masat e përcaktuara epidemiologjike.