Republika e Kosoves

Graçanicë

Kryetari Popoviq zyrtarisht hapi çerdhen e sapondërtuar në Uglar

2019/01/09 - 8:38

Kryetari i komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq, zyrtarisht hapi objektin e sapondërtuar të institucionit parashkollor “Gëzimi ynë” në Uglar.

 

Kryetari Popoviq në Uglar, tradicionalisht me pogaçë dhe kripë, priti një numër të madh të banorëve dhe fëmijëve të shoqëruar nga prindërit e tyre.

Njeriu i parë i Komunës së Graçanicës hapi çerdhen duke e prerë shiritin e vendosur para hyrjes së ndërtesës së bashku me drejtoreshën e këtij institucioni, Ljiljana Martinoviq.

“Ky është një nga projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme në arsim këtë vit. Kjo do të thotë shumë më tepër se sa paratë e investuara, sepse çdo projekt që mbështetet ose realizohet nga Komuna e Graçanicës do të thotë se ajo kujdeset për qytetarët e saj, mbijetesën dhe qëndrimin këtu, veçanërisht në Uglar”, tha Popoviq.

“Jemi shumë të kënaqur që kemi arritur të ndërtojmë një objekt të tillë dhe të krijojmë kushte më të mira për rritjen e fëmijëve tanë. Siç u thashë edhe prindërve, shpresoj që në vitet e ardhshme çerdhja do të jetë edhe më e mbushur si dhe që ata do të kërkojnë zgjerimin e ndërtesës. Ne do të vazhdojmë të investojmë në arsim, por edhe në të gjitha fushat e tjera”, shtoi Popoviq.

Drejtoresha e IP “Gëzimi ynë”, Ljiljana Martinoviq, tha se hapja e sotme është një ditë e madhe për Uglarin, veçanërisht për fëmijët që do të qëndrojnë aty.

“Për nëntëmbëdhjetë vjet kemi punuar në një shtëpi private dhe më në fund ne sot e kemi objektin tonë. Në institucionin tonë kemi 95 fëmijë të regjistruar. E falenderojmë Komunën e Graçanicës dhe kryetarin Popoviq se ata e panë nevojën për ndërtimin e një objekti kaq të mirë këtu”, tha Martinoviq.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Graçanicës, Brankica Niçiq, theksoi se kjo drejtori do të vazhdojë të investojë në arsim dhe kulturë në vitin e ardhshëm, me qëllim që të krijojë kushte më të mira për banorët tanë.

Objekti i sapondërtuar i çerdhes në Uglar ka një sipërfaqe prej 432 m² dhe ndodhet pranë shkollës fillore në këtë vend. Në katin përdhesë ka dhoma gjymi për fëmijë, hapësirë për qëndrim, kuzhinë me dhomë ngrënie, dhomë shumëqëllimore dhe dhomë ndihmëse për ngrohje, ndërsa në katin e parë gjendet hapësira administrative.

Mjetet për ndërtimin e objektit janë siguruar nga Komuna e Graçanicës në një shumë prej 122,678 euro.