Republika e Kosoves

Hani i Elezit

Akademi përkujtimore për Dëshmorin e parë të trevës së Hanit të Elezit, Veli Ballazhin

2018/12/14 - 4:49

Në 20-të Vjetorin e Rënijes të Dëshmorit Veli Ballazhi, Komuna e Hanit të Elezit në bashkëpunim me Shoqatat e Dalura nga Lufta e UÇK-së, organizuan Akademi Përkujtimore kushtuar Dëshmorit të parë të trevës së Hanit të Elezit Veli Ballazhi.
Në nderim të kësaj dite fillimisht është bërë Homazh në Varrezat e Dëshmorëve në Puset e Nikës, më pas është bërë nderime pranë Bustit të Dëshmorit Veli Ballazhi në SHFMU në fshatin Gorancë e cila mbanë emrin e dëshmorit ndërsa Akademia përkujtimore është mbajtur në Shtëpinë e Kulturës “Imri Curri” në Han të Elezit.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Komunës Rufki Suma tha se kam nderin që sot të ju drejtohem juve ne emër te administratës komunale të Hanit të Elezit, në shënim të 20 vjetorit të rënies së dëshmorit Veli Ballazhi dhe 40 dëshmorëve tjerë
Fillimisht dua t’ju përshëndesh dhe t’ju dëshirojë mirëseardhje për ushtarët dhe invalidët e UÇK-së, përfaqësuesit e FSK-së, Policisë së Kosovës, struktura komunale, nxënës e arsimtar, qytetarë dhe mysafir, e në veçanti përshëndes familjet e dëshmorëve të cilët dhanë bijtë dhe bijat më të mira që ne sot të jemi të lirë .
E nderuara familje e deshmorit Veli Ballazhi, të nderuar pjesmarrës sot kur po shënojmë 20 vjetorin e rënies heroike të Komandant Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtarë të tjerë, kujtojmë edhe ushtarët trima nga komuna e Hanit të Elezit të cilët u ishin bashkuar kolonës së gjatë të ushtarëve të cilët më 14 Dhjetor të vitit 1998 gjatë kalimit të kufirit Shqipëri-Kosovë bien në pritën e organizuar nga ushtria serbe me ç’rast bien 41 dëshmor në mesin e tyre edhe ushtari i lirisë, Dëshmori Veli Ballazhi ndërsa zihen robër lufte nëntë ushtarë të UÇK-së në mesin e tyre edhe Samet Ballazhi dhe Azem Suma bashkëluftëtarë të ngushtë të Veliut nga Hani i Elezit.
E nderuar Familje Ballazhi, sa here që përkujtojmë 14 Dhjetorin askush më shumë se ju nuk ndien dhimbjen për birin e juaj Veli Ballazhin, por askush nuk ka të drejtë të jetë më krenarë se ju që kësaj troje i dhatë një dëshmorë, me veprën e të cilit do të krenohemi sa here që të përmedet fjala Liri.
Dhe sikur historia po don me i lidhë gjërat, pikrisht sot kur kujtojmë rënien e 41 deshmorëve të Pashtrikut, Kuvendi i Kosovës miratoi ligjet me të cilat FSK-ja u shëndrua në Forca të Armatosura të Kosovës, pra nga sot edhe zyrtarisht Kosova do te ketë ushtrinë e vet, ushtri për të cilën u derdh shum gjak, pikrisht nga këta dëshmorë të cilët sot po i kujtojmë.
Dhe sa herë që do të festojmë Ditën e Ushtrisë së Kosovës do të kujtojmë Dëshmorin Veli Ballzhin dhe të gjitha ata që dhanë jetën e tyre sepse nga sot u plotësua një nga amanetet e dëshmorëve dhe nga sot Kosovën do të ketë kush ta mbrojë, duke mos lënë anash aleatin më të fuqishëm të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët ishin në krah të Shqiptarëve si gjatë luftës së UÇK-së ashtu edhe në ditët e tanishme të paqes.
Të nderuar pjesmarrës, në emër timin dhe në emër të administratës së komunës së Hanit të Elezit Ju uroj formimin e Ushtrisë së Kosovës e cila do të jetë e rreshtuar perkrah ushtrive tjera te NATO-s.
Lavdi dëshmorit Veli Ballazhi,Lavdi gjithë Dëshmorëve të Kombit, Nder dhe rrespekt ushtarëve të Lirisë tha Kryetari Suma.
Në emër të Shoqatave të Dalura nga Lufta e UÇK-së, Mehmet Ballazhi foli për jetën dhe veprën e dëshmorit Veli Ballazhi.Ai tha se Më 13 dhjetor 1998 Veli Ballazhi së bashku me 148 bashkëluftëtarë nisen në drejtim të kufirit Shqipëri-Kosovë . Më 14 dhjetor, së bashku me bashkëluftëtarët në krye me komandant Mujë Krasniqin “Kapuçin” futen në Pashtrik me vendosmëri që të kalojnë në Kosovë. Shumë luftëtarë të kësaj dite, të mbetur gjallë nga ploja armike rrëfejnë se krahas përdorimit të armëve të llojllojshme që përdori armiku, nuk munguan as helmimet kimike, gjë që shumë luftëtarë nga gjendja normale e vetëdijes, kalojnë në gjendje të rëndë dhe humbje kontrolli në kohë dhe hapësirë. Në këtë luftë plagosen bashkëluftëtarët e ngushtë të Veliut, Samet Ballazhi dhe Azem Suma ku ishin rëndë të plagosur dhe shtatë të tjerë. Dhe ashtu të plagosur bie në duart e forcave serbe, ku fillimisht i dërgojnë në burgun e Prizrenit. Atje i torturojnë rëndë pa iu dhënë kurrfarë ndihme të parë dhe pastaj me helikopter i transferojnë në burgun ushtarak të Nishit. Për shkak të luftimeve të ashpra dhe kushteve të rënda të dimrit varrimi i Veli Ballazhit u bë më 15 maj 1999 në Pashtrik nga bashkluftarët e tij me nderime ushtarake.
Familja e Veli Ballazhit në Han të Elezit për birin dëshmorë ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga Komanda e Zonës, nga Komanda e Brigadës, nga strukturat Komunale të Kaçanikut dhe nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së tha ndër të tjera z.Mehmet Ballazhi.
Të pranishmit me fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti edhe z.Faruk Berisha Drejtorë i SHFMU”Veli Ballazhi” në fshatin Gorancë.
Ndërsa në emër të familjes së vëllau i dëshmorit Fehmi Ballazhi tha se në këtë ditë për aq sa jemi të mërzitur për Veliun për aq jemi krenarë për veprën e tijë.
Akademia përkujtimore në 20-të Vjetorin e Rënijes të Dëshmorit Veli Ballazhi ishte rastë që Kryetari i Komunës Rufki Suma të nderojë me “Mirënjohje” familjen Ballazhi.
Akademi Përkujtimore kushtuar Dëshmorit të parë të trevës së Hanit të Elezit Veli Ballazhi u mbyll me program kulturorë artistik të përgatitur për këtë rast nga SHKA”Sharri” nga Hani i Elezit.