Republika e Kosoves

Hani i Elezit

Çdo plumb e ka një shënjestër Festo me zemër, jo me armë

2022/11/18 - 4:47

Në kuadër të fushatës: ”Çdo plumb e ka një shënjestër Festo me zemër, jo me armë”, Ministria e Punëve të Brendshme, mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe në bashkëpunim me komunën e Hanit të Elezit, sot u mbajt takimi me qytetarët të fshatit Gorancë, në Shkollën Fillore “Veli Ballazhi”, për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve të kësaj pjesë që jetojnë në kufi me Republikën e Maqedonisë së Veriut, sa i përket përdorimit të armëve.
Në këtë aktivitet morën pjesë, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, z. Mehmet Ballazhi, zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe kryesuesi i Komisionit për Armët e Vogla dhe të Lehta(AVL), z. Blerim Gashani dhe Zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, z. Niels Knudsen.
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, z. Mehmet Ballazhi, theksoi: “Si kryetar i komunës me kënaqësi i jam bashkëngjitur fushatës që është duke e zhvilluar MPB dhe komuna e Hanit të Elezit, do të jetë pjesë aktive e fushatës për të njoftuar qytetarët për rreziqet që vijnë nga armët e zjarrit dhe tregues se Komuna e Hanit të Elezit është serioze në promovim të fushatave vetëdijësuese është vet prezenca e qytetarëve, prindërve, nxënësve, po ashtu edhe zyrtarëve komunalë, anëtarëve të KKSB.”
Mesazhet e tyre i kanë dhënë edhe zëvendësministri Gashani si dhe përfaqësuesi i UNDP-së, Knudsen.
Me këtë rast, Koordinatori Kombëtar për AVL-të, njëherit zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani, theksoi trafikimi dhe zotërimi i paligjshëm i armëve, krimet me armë edhe pse paraqiten në rënie çdo vit, ende shfaqen si kërcënim për jetën njerëzore dhe rendin e sigurinë publike në Kosovë.
Ndërsa zëvendës-përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, z. Niels Knudsen, theksoi se çdo ditë rikujtojmë se armët, krimi dhe dhuna përbëjnë kërcënim edhe në shoqëritë më paqësore. Keqpërdorimi i armëve të zjarrit dhe trafikimi i paligjshëm i armëve të vogla dhe të lehta, si dhe i municionit, mbeten një faktor përcaktues në cenimin e paqes dhe sigurisë dhe rëndojnë thellësisht jetën e njerëzve, si dhe nxisin drejtpërdrejt incidentet e dhunës në familje ku gratë janë më së shpeshti. viktima.
Komuna e Hanit të Elezit, në bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë me forumet e sigurisë në bashkësi, policinë dhe akterë të tjerë, në baza ditore kontribuon në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në parandalimin e dukurive negative, siç janë dhuna në shkolla, dhuna në familje dhe ajo në baza gjinore, parandalimi i aksidenteve në trafikun rrugor, trafikimi me qenie njerëzore, abuzimi me substanca narkotike si dhe problematika të tjera që i kontribuojnë sigurisë së përgjithshme të qytetarëve tanë.
Detaje për fushatën ka dhënë Mentor Cakolli (UNDP), i cili ka thënë se rreziqet nga gjuajtjet me armë janë të mëdha pasi që dihet se çdo plumb ka një shënjestër.
Organizatori ka lansuar edhe disa video vetëdijesese si dhe janë ekspozuar pano nga rastet e raportuara, ku shihen dëme materiale edhe njerëzore nga gjuajtjet festive, përkatësisht nga plumbat qorr.
“Në festat dhe gëzimet tona, armët nuk kanë vend”