Afër një vjetorit të qeverisjes komunale, sot jemi njoftuar nga Shoqata Evropiane për Demokraci Lokale-ALDA, se Komuna e Hanit të Elezit është fituese e Çmimit Evropian për Qeverisje të Shkëlqyer, program ky i akredituar nga Këshilli i Evropës, përmes të cilit komunave të cilat kanë arritur një nivel të lartë të qeverisjes së mirë, e krahasueshme me standardin e Këshillit të Evropës, u jepet një çmim i ekselencës në qeverisje.
Duke pasur parasysh faktin që jemi në muajin e fundit të përmbylljes një vjeçare të qeverisjes në Komunën e Hanit të Elezit, dhe ne tashmë jemi fitues të këtij çmimi, përmes së cilit kemi arritur që t’i zbatojmë 12 Parimet e Këshillit të Evropës në kuadër të Qeverisjes së Mirë Demokratike, vërteton se jemi në rrugën e drejtë qeverisëse, duke u bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës dhe parimeve bazë të qeverisjes së shkëlqyer, e të cilat përfshijnë këto 12 parime:
1. Pjesëmarrje, përfaqësim dhe zhvillim i zgjedhjeve të drejta
2. Përgjegjshmëri
3. Efikasitet dhe efektivitet
4. Hapje dhe transparencë
5. Sundim i ligjit
6. Sjellje etike
7. Kompetencë dhe Kapacitet
8. Inovacion dhe hapje për ndryshim
9. Qëndrueshmëri dhe orientim afatgjatë
10. Menaxhim i Shëndoshë Financiar
11. Të drejta të njeriut, diversitet kulturor dhe kohezion shoqëror
12. Llogaridhënie
Komuna e Hanit të Elezit, përgjatë vitit 2022 i është nënshtruar hulumtimeve dhe vlerësimeve nga Shoqata Evropiane për Demokraci Lokale, të cilët edhe kanë identifikuar se komuna jonë ka zbatuar në përpikmëri të 12 Parimet gjatë këtij viti.