Republika e Kosoves

Hani i Elezit

Kryetari i komunës Mehmet Ballazhi pret në vizitë përfaqësues nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve – Shkup

2023/03/15 - 9:43

Gjatë ditës së sotme, na nderuan me vizitë nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve – Shkup, përkatësisht Dr. Skender Asani – Drejtor i ITKSHSH-së, profesori i nderuar Besnik Rameti dhe Hafiz Sabaatin Nuhiu.
Përveçse miqësore, vizita e tyre ishte e një rëndësie të veçantë ku miqtë nga Shkupi më njoftuan me veprimtarinë e këtij institucioni, me ç’rast edhe unë i njoftova me trashëgiminë kulturore e shpirtërore të Hanit të Elezit, duke veçuar Memorialin “Bllaca 99”, i cili është simbol i vuajtjes, sakrificës, por njëkohësisht edhe i qëndresës dhe shpresës shqiptare gjatë viteve 98′-99′ dhe rëndësinë e ngritjes së një Muzeu ku do të tërhiqej edhe interesi i të huajve për t’u njohur me historinë e dhimbshme të dëbimit të shqiptarëve.
Poashtu, miqtë nga Shkupi i njoftova edhe Qendrën e Kulturës dhe veprimtarinë kulturore ndër vitesh, si dhe me projektin e parkut “Isa Berisha”, i cili poashtu ka rëndësi shpirtërore për Hanin e Elezit, ku përkujtohet djaloshi Isa Berisha, i cili u vra pabesisht nga forcat kriminele armike.
Në fund u dakorduam që Hani i Elezit ka pasuri mjaft të madhe me rëndësi të veçantë kulturore e shpirtërore, e cila meriton dhe duhet të ketë trajtim sa më dinjitoz nga organet kompetente, ku kjo vizitë e sotme do të jetë fillimi i një bashkëpunimi mes Komunës së Hanit të Elezit dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve – Shkup.