Republika e Kosoves

Hani i Elezit

Vit i suksesshëm bashkëpunimi mes Komunës së Hanit të Elezit dhe kompanisë “Sharrcem”

2023/01/09 - 10:45

Pas një viti të suksesshëm bashkëpunimi mes Komunës së Hanit të Elezit dhe kompanisë “Sharrcem”, duke finalizuar disa projekte që kanë qenë me ndikim në komunitet, në një takim miqësor gjatë ditës së sotme, iu ndava mirënjohje në shenjë respekti dhe nderimi, Drejtorit të Përgjithshëm z.Mario Bracci, Drejtori i Prodhimit z.Behar Disha, Drejtorit Menaxhues z.Vigan Sylejmani, e poashtu edhe dy figurave urëlidhëse znj.Besa Ramadani dhe z.Adnan Vila, të cilët në mënyrë të palodhur kanë dhënë kontributin e tyre profesional që kërkesat tona për përkrahje nga Sharrcem, të finalizohen me sukses.

Disa nga projektet e realizuara nga kompania Sharrcem, pas kërkesës nga ana e Komunës janë: montimi i pompës së ujit dhe instalime tjera në burimin e ujit në fshatin Gorancë, mbështetja financiare për pagesën e shërbimeve të stomatologut dhe infermieres, mbështetje financiare për pagesën e shërbimeve të psikologes shkollore, ligjërata dhe trajnime për stafin komunal, stafin shkollor dhe nxënësve të shkollave, aktivitete me parafilloristë me mesazhe mbrojtjen e ambientin, vendosja e kutive me pajisje të ndihmës së parë dhe pompave për fikjen e zjarrit, financimi me vlerë monetare për nxënësit e suksesshëm në pikturë,, mbështetje për prodhimtarinë bujqësore e bletari, mbështetje për rastet me sëmundje kronike, mbështetje për fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, e plot aktivitete e projekte tjera, me ndikim direkt në komunitet

Kompania Sharrcem përveç që ka një numër të madh të punësuarish nga Hani i Elezit nën ombrellën e saj, gjatë vitit të kaluar na ka treguar gatishmërinë e tyre për përkushtimin ndaj komunitetit, me ç’rast sot mora edhe një herë konfirmimin nga stafi drejtues se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2023.