KULTURA NË KOMUNËN E ISTOGUT

Në kuadër të Drejtorisë për Arsim dhe Kulturë funksionon  shtëpia e kulturës në Istog, ku brenda kësaj shtëpie të kulturës funksionojnë: Muzeu Arkeologjik, Biblioteka e Qytetit, Qendra Rinore, Salla e manifestimeve,salla për vallëzim SHKA “Selman Kadrija”, Biblioteka në Banjë dhe Biblioteka në Gurrakoc.
Sektori për Kulturë kryen aktivitete kulturore si shënimin e datave kombëtare dhe ndërkombëtare, si :
-Shënimin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës
-Shënimin e 28 Nëntorit
-Shënimin e Ditës së Çlirimit të Istogut
-Shënimin e Ditës së Evropës,
-Shënimin e Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut
-Mbajtja e Orëve Letrare
-Shfaqja e Ekspozitave me punime të nxënësve
-Projektin e përmbledhjes së librit tashmë tradicionale me krijime të nxënësve të shkollave tona
-Organizimi i projektit të Miss dhe Mister Istogut. 



 Vlerat e trashëgimisë të kulturës materiale janë të numërta në komunën e Istogut. Në projektin e inventarizimit të trashëgimisë kulturore të komunës së Istogut, të kryer në periudhën nëntor-dhjetor 2002, janë evidentuar objektet arkitektonike autoktone: kullat 72 sish, mullinjtë më ujë si objekte të teknologjisë së bluarjes së drithit, të cilat janë të numërta në komunën tonë, objektet fetare-8 xhami, 3 mejtepe dhe 3 kisha ortodokse, një Urë e Gurit arkitektonikë osmane në fshatin Zallç dhe 11 vendgjetje arkeologjike.
Kullat-janë objekte arkitektonike autoktone. Në Istog gravitojnë 73 kulla, prej tyre 15 janë tri katëshe ( dy të rrenuara pas lufte), ndërtimi i tyre zënë fill në shekullin 18 dhe përfundon kah shekulli 20. Konstruktoret e kullave ishin ustallarët dibranë. Materiali i ndërtimit është gur gëlqeror i cili ishte i bollshëm pranë masivit shkëmbor të Bjeshkëve të Thata. Në një numër kullash, si materijal ndërtimor përdorej edhe mermeri, për ndërtimin e elementeve arkitektonike dhe skalitjet dekorative si dhe për qoshet e kullës (kulla e Avdurrahman Ramë Kajtazit-Lubovë). Kulla është godinë e formës katrore më dimensione 9 x 9 metra, 10 x 10 metra dhe 11 x 11 metra, lokalizimi i saj hapësinor është veri-jug, është përdorur si objekt banimi i familjeve të numërta patriarkale. Më kulla është lidhur ngushtë historia e jonë kombëtare. Kulla ka qenë Parlament i Shqiptarve, ka qenë vatër e organizimit politik të shqiptarve, vend i mbajtjes së ceremonive mortore, por edhe i ahengjeve, ka qenë arenë e përleshjeve më armiqtë shekullor, ku populli shqiptarë ka bërë rezistencë të armatosur për të qëndruar në vatrat e veta shekullore.
Gjykuar nga sa u tha, kulla është emblemë e arkitektonikës autoktone shqiptare, prandaj ajo ishte në shënjestër të ekspeditës zjarrvënëse të soldateskës serbe dhe në mënyrën më vandale kullat u dogjën, në një masë 95 përqind në harkun kohor prill-qershor 1999.
Kullat më markante tri-katëshe, të cilat për nga vlerat arkitektonike nuk janë inferiore ndaj atyre të Dukagjinit, janë: Kulla e Lash Ukës në Kaliqan, Kulla e Avdurrahman Ramë Kajtaazit në Lubovë, Kulla e Imer Buleshkaj, dhe Kulla e Halil Dervish Sylës, në Istog i Poshtëm, kulla e Jah Muzliukës, në Uçë, kulla e Bashor Pren Gegës, në Gurrakoc, kulla e Rexhë Fetahut, në Gurrakoc (ishte burg në kohën e Austro-Hungarisë më 1916), kulla e Selim Zenun Shatrit, në Tomoc që edhe sot është e banuar.
Mullinjtë më ujë- janë objekte të teknologjisë për bluarjën e drithit. Kjo zeje ka histori të hershme që nga iliret. Mulliri I parë në Istog ishte I ndërtuar fare praën burimit potent të ujit, 150 metra, më 1520, I njohur si Mulliri I Grijajve, kurse përgjatë rrjedhës të lumit Istog, ishin të ndërtuar 36 mullinjë. Ndër mullinjtë më popullor të cilët bluanin për Podgur dhe Drenicë, ishte mulliri i Idriz Sak Bytyçit më pesë gurë, me kapacitet ditor 1200 kilogram drithë. Pastaj vjen po aq popullor mulliri i Niman Shaban Sadikaj më pesë gurë.
Po ashtu, përgjatë rrjedhës së Tedelit (në Vrellë), ishin të ndërtuara 15 mullinjë. Poashtu të numërt ishin edhe në Lubozhdë, Tomoc, Gurrakoc, Shushicë dh Uçë.
Ndër mullinjtë më të vjetër të komunës konsiderohet edhe mulliri i Pren Palokës, në Gurrakoc, më pesë gurë, i cili shërbeu për katër breza më radhë i ndërtuar më 1695.
Mullinjtë, të cilët aktualisht janë aktiv janë të pakët por gjithsesi të rëndësishëm për ruajtjen e kësaj zeje, e që ekskluzivisht përdoren për bluarjen e misrit, mulliri i motel “Trofta”, më dy gur në Istog, mulliri i Ibish Arifajt, në Istog të Poshtëm, mulliri i Qelë Shaban Bicaj, në Vrellë, mulliri i Mazdo Hajdarpashiqit, në Carrallukë.

Është unikale një sharrë më ujë për latimin e drurit në Vrellë, në pronësi të Qel Bicajt.
 Objektet fetare-Xhamia e Istogut, e ndërtuar më 1730, e ka ndërtuar Mulla Kurta, e bombarduar dhe e djegur nga soldateska serbe në qershor 1999. Pas luftës e restauruar.
Xhamia e Mehmet Akif Arsoit ( Mulaj i fisit Gash, i lindur në Stamboll, ai e ka ndërtuar këtë xhami, në shenjë të para-ardhësve të tij, respektivisht nga i cili fshat e ka prejardhjen babai i tij Tahir Haradin Mulaj. Xhamia është ndërtuar në vitin 1897, muret e së cilës ekzistojnë edhe sot në Shushicë e djegur gjatë luftës së fundit.
Xhamia e Uçës dhe mejtepi pranë saj, pastaj xhamia e Vrellës, e Studenicës , e Kaliqanit, xhamia dhe mejtepi në Tomoc,xhamia në Trubuhovc, mejtepi në Zabllaq.
 
Ndër kishat ortodokse janë: kisha e Gorioqit, kisha e Cerkolezit dhe kisha e Lubovës.

Ura e vjetër e Gurit në Zallç, është e ndërtuar në vitin 1695, ka gjatësi prej 82,45 metra, gjërsi 4,72 metra, më 13 harqe qemer, e punuar nga guri gëlqeror e lidhur më harason e shtruar më kalldrëm gurësh.

Istogu si komunë, është mjaft i pasur edhe më vlera arkeologjike.

Vend-gjetjet arkeologjike shtrihen në rrypin e Bjeshkëve të Thata, duke filluar nga lindja e në Perëndim.

Harta Arkeologjike e Istogut do të dukej kështu:

-Syriganë (Suhogerll), vendbanim ilir i kohës së neolititit- koha e re e gurit-më emrin “gjyteti”.

-Cerkolez-lokaliteti antik të kisha,

 -Shushucë-gjurmë të civilizimit antik,

-Synë-reliktet e mureve të një qyteti antik, nën Qukën e Madhe.

-Istog-gjurmë të civilizimit antik, ana e djathtë e përroi të Bollovanit.

-Cerrcë-tuma ilire, mure gjigante më pikankorime për lidhjen e mjeteve të lundrimit.

-Lubozhdë-lokaliteti antik “Gradina”,

-Vrellë-vendbanimi ilir “Krye”,

-Studenicë-kishë paleokristiane shqiptare e shekullit 4-5 era e jonë,

-Kaliqqan-vëndgjetje arkeologjike “gjyshkoka”,

-Orrobërdë-varrezat e Kerrmi Tatarhanit (që nga sundimi otoman),

-Banja (e njohur si “Ilixhë), lokaliteti i “Onix-it”, i njohur për tumen ilire-varrezë e familjeve fisnike ilire në të cilën janë gjetur përkrenare ilire të punuara nga bronzi, shpata e mbretit ilir, shtamba, por edhe stoli të argjentit të princeshës ilire.

-Bajica- kompleks arkeologjik i tumave të nëndheshme.

Vend-gjetjet arkeologjike dëshmojnë për autoktonin tonë për të cilën kemi fakte të sigurta që nga mesjeta e deri në neolit. Prandaj e konsiderojmë së ekspeditat arkeologjike do të hedhin më shumë dritë në këtë pohim.

Podguri, si trevë e veqantë etnografike është i begatshme më vlera të kulturës materiale, prandaj, ne kemi bërë koleksionimin e eksponateve më vlera antike, të cilat janë mbledhë dhe sistemuar në lokalet e Pallatit të kulturës “Adem Jashari”në Istog, të cilat mund të shihen çdo ditë.