Republika e Kosoves

Istog

Komuna e Istogut dhe SIV nënshkruan marrëveshje për mundësitë e punës praktike në institucionet komunale

2021/08/12 - 3:05

Në një ceremoni solemne të mbajtur sot është bërë nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes Komunës së Istogut dhe Syri i Vizionit (SiV). Marrëveshja është nënshkruar nga nënkryetari i Komunës Agim Ademaj dhe drejtori i organizatës Veton Mujaj. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, Komuna e Istogut është zotuar së do të krijojë mundësi të kryerjes së punës praktike në institucionet publike komunale të saj për gjashtë muaj me radhë.
Kjo marrëveshje është arritur lidhur me programin dyvjeçar “Fuqizimi dhe punësimi i të rinjve, grave dhe grupeve tjera në nevojë në pesë komuna të Kosovës” i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian i cili ka nisur të zbatohet nga SiV në partneritet me organizatën “The Balkan Forum” si dhe Komunës së Istogut.
Projekti synon të ofrojë masa shtesë aktive për tregun e punës, të tilla si sigurimi i mbështetjes për trajnime specifike, trajnime në vend të punës, ofrim të praktikës në punë dhe vetëpunësimin e grupeve të cenueshme në Kosovë, në mënyrë specifike në komunat Pejë, Istog, Deçan, Klinë e Junik.
Projekti po ashtu do të mbështesë zhvillimin e ndërmarrjeve të reja për të krijuar perspektivën e punësimit për grupet të cilat janë veçanërisht të rrezikuara në tregun e punës.