Republika e Kosoves

Istog

Kuvendi aprovon KAB-in 2019-2021

2018/06/29 - 1:25

Kryesuar nga kryesuesi i kuvendit Qaush Balaj, është mbajtur mbledhja e 7-të e rregullt e legjislacionit të gjashtë të Kuvendit Komunal. Në mbledhje kanë marrë pjesë Kryetari i Komunës Haki Rugova, drejtor të drejtorive komunale si dhe anëtarët e asamblesë komunale.

Shqyrtimi dhe miratimi i Kornizës Afatmesme Buxhetore 2019-2021, raporti i punës së prokurimit për vitin 2017 dhe planifikimi për vitin 2018, shqyrtimi dhe miratimi i planit të veprimit për komunitetin Romë, Ashkali dhe Egjiptian për vitin 2017 -2021, shqyrtimi dhe miratimi i rishikimi të rregullores për taksa ngarkesa dhe gjoba, shqyrtimi dhe miratimi i planit të veprimit për sanimin e gjendjes aktuale e cila mbretëron në NLP ”Stacioni i Autobusëve’’ në Istog ishin pika të rendit të ditës së mbledhjes së sotme të kuvendit.

Elaborimin e Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitet 2019-2021 e bëri Zyrtari Kryesor Financiar (ZKF), Osman Sadikaj i cili i ka njoftuar anëtarët e kuvendit  rreth draft kornizës duke ofruar detaje mbi grantet qeveritare, të hyrat vetanake komunale, si dhe projektet e planifikuara kapitale për periudhën 2019-2021.

Korniza Afatmesme Buxhetore(KAB) që po prezantojmë është një dokument i cili miratohet në parim çdo vit nga Komiteti për Politikë dhe Financa(KPF) dhe Kuvendi Komunal(KK). Komuna e Istogut  vitin e kaluar  ka pasur të përgatitur dokumentin e KAB-it Komunal ku do të përfshihen vlerësimet e hershme të të ardhurave buxhetore totale dhe shpenzimeve dhe paraqitjen e tyre sipas Programeve-Drejtorive, Nënprogrameve Buxhetore dhe Kategorive Ekonomike për tri vite . Ky material siguron një analizë të hollësishme të shpenzimeve publike dhe përcakton parametrat dhe prioritetet kryesore për zhvillimin e vazhdueshëm të buxhetit vjetor. Gjithashtu, KAB, siguron mekanizmat e nevojshme, përmes të cilave, objektivat prioritare, të identifikuara në dokumentet strategjike të komunës, aty ku ekzistojnë, të integrohen sa më mirë në procesin buxhetor. Ky dokument do të jetë bazë për përcaktimin e sektorëve prioritarë të zhvillimit dhe identifikimin e prioriteteve të shpërndarjes së burimeve financiare komunale për periudhën 2019-2021, tha ndër të tjera Sadikaj.

 

Vizioni i Komunës për tri vitet e ardhshme është për  Istogun, me zhvillimit ekonomik-prioritet sektorit të agro-turizmit dhe bujqësisë, urbanizëm modern dhe shërbime publike efiçente, i integruar në proceset rajonale dhe ndërkombëtare, një qendër e kulturës dhe turizmit të pasur, arsimimin cilësor, shërbime shëndetësore adekuate, rini të shëndoshë dhe me aktivitete sportive.

 

Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan nga anëtarët e asamblesë, përveç pikës së tretë të rendit të ditës e cila është shty për mbledhjen e radhës.