Republika e Kosoves

Istog

Takim i radhës konsultativ i Shtabit Emergjent Komunal

2020/06/17 - 10:58

Kryesuar nga Kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova është mbajtur sot mbledhja e radhës konsultative e Shtabit Emergjent Komunal. Në takim është diskutuar gjendja aktuale në komunën e Istogut lidhur me pandeminë e krijuar nga COVID 19.  Shtabi Emergjent del me një apel për qytetarë. Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve nëpër Istog dhe kjo është sjellje e rrezikshme dhe aspak e mirë.

Lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtën e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike. Si pasojë e mosrespektimit të këtyre masave dhe mos bartjes së maskave nga ju qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë në përgjithësi.

Andaj ju lutemi për kujdes të shtuar dhe respektim të masave.

Apelojmë tek qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura . Po ashtu njoftojmë të gjithë qytetarët që Komuna e Istogut nuk do ofrojë shërbime për qytetarë të cilët nuk janë të pajisur me mjetë mbrojtëse, me maska. Apelojmë të gjithë ata të cilët vijnë të kërkojnë shërbime të ruajnë distancën fizike dhe të kenë maskën e vendosur.