Republika e Kosoves

Istog

Zallçi edhe më tutje në top agjendë të misioneve ndërkombëtare

2010/09/30 - 12:00

Një delegacion i prirë nga Drejtori i Qendrës Rajonale të OSBE-së në Pejë, z. Jovdat Mammadov, znj. Ita Schuette nga UNHCR, zyrtarja ndërkombëtare nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, znj. Eva Kitzler, janë pritur nga Kryetari i Komunës z. Haki Rugova.

Kryetari Rugova ka vlerësuar angazhimin e OSBE-së, UNHCR-it, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim (MKK) por edhe të gjithë aktorëve tjerë si vendor ashtu ndërkombëtarë që janë duke u angazhuar në tejkalimin e situatës së krijuar në fshatin Zallç.
“Po del që rasti i Zallçit është ngritur në top agjendën e aktiviteteve, ani pse përshtypja ime është se rasti nuk është edhe aq serioz sa është dramatizuar, por sidoqoftë, ne nuk do të ndalemi deri në stabilizimin e plotë të gjendjes”, sqaron kryetari Rugova për mysafirët e tij.  
Edhe përkundër shenjave të dukshme të përmirësimit të gjendjes së sigurisë në fshatin Zallç, zyrtarë të OSBE-së mendojnë se angazhimi në këtë fushë duhet intensifikuar me qëllim që atje të vendoset një ambient që siguron jetë të qetë për familjet e kthyera serbe.
 
“OSBE ka themeluar një “task force” për rastin e fshatit Zallç. Ne kemi pasur kontakte me shumë njerëz nga të dy palët, ajo shqiptare dhe serbe, me qëllim që të vlerësojmë më mirë gjendjen që po mbretëron atje dhe kjo gjë në grumbullimin e fakteve, ka ndihmuar që situatën ta kemi më të qartë”, ka thënë z. Mammadov në fjalën e tij hyrëse.
 
Znj.Eva Kitzler nga MKK, tha se komuna ka bërë shumë në stabilizimin e gjendjes në këtë lokacion, dhe neve këto gjëra na janë të njohura.
“ Mendoj se jemi që të gjithë të një mendimi se rasti i Zallqit është incident i izoluar” deklaron znj. Kitzler.
Ndërkaq, z, Oliver Shmidt-Gutzat zyrtar i lartë nga OSBE-ja, tha se roli i institucionit komunal është të jetë i rëndësishëm në zgjidhjen edhe të problemeve që qytetarë serb kanë paraqitur në pengesat që ju bëhen atyre në punimin e tokës bujqësore.
 
Nga ky takim doli edhe propozimi për kontakte të drejtpërdrejta në mes të familjarëve shqiptar dhe atyre serbe, por që kjo të ndodhë, lypset angazhim i të gjithëve.