Republika e Kosoves

Kaçanik

AKV “Gjilani” nga Gjilani zgjidhet ansambli më i mirë i Festivalit “Kaçaniku 2018”.

2018/06/12 - 10:10

Për nderë të Ditës së Çlirimit të Kaçanikut, është organizuar festivali “Kaçaniku 2018”, me moton 30 vjet festival, nën përkujdesjen e Kryetarit Besim Ilazi, organizuar nga Qendra Kulturore “Kaçaniku”. Fillimisht të pranishmëve iu drejtua Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, i cili i uroi të gjithë qytetarëve të Komunës së Kaçanikut Festën e Çlirimit. Kryetari Ilazi tha se kjo ditë është meritë e gjithë dëshmorëve dhe martirëve të rënë dhe veprimtarëve nëpër breza të lavdisë kombëtare. Kryetari tha se na takon neve që të punojmë së bashku, për të ndërtuar amanetin e atyre që na sollën lirinë. Të pranishmit i përshëndeti edhe Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, dega në Kaçanik Hajrush Kurtaj, i cili përmendi betejat e ndryshme të ushtarëve të UÇK-së në Kaçanik, deri në ardhjen e ditës së çlirimit. Hapjen e Festivalit “Kaçaniku 2018” e bëri Drejtori për Arsim dhe Kulturë në Komunën e Kaçanikut Zahir Doda. Juria e nderuar në përbërje të Profesorit dhe Koreografit Dilaver Kryeziu, Denisa Vata- Drejtoreshë e Qendrës Kulturore- Burel dhe arsimtari i muzikës Ruzhdi Gjini, vendosi që çmimin “Ansambli më i mirë i Festivalit” të ia ndajë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Gjilani” nga Gjilani, ndërsa orkestra më e mirë e festivalit u përzgjodh nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Hasan Prishtina”. Vallëtarët më të mirë u përzgjodhën nga Shoqëria Kulturore Artistike „ Shqiponja“ Saraj- Shkup, solistja më e mirë u përzgjodh nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “ Plus Dance” Elbasan, ndërsa çmimin vallëtari më i mirë e fitoi vallëtari nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Skenderbeu” Korçë. Ky ishte edicioni i 30 i festivalit.