Republika e Kosoves

Kaçanik

Diskutohet draft dokumenti i Kornizës Afatmesme Buxhetore 2019-2021me Partitë Politike në kuvendin komunal- Investimi në rrjetin e ujësjellësit konsiderohet prioritet investues

2018/06/14 - 12:28

Komuna e Kaçanikut ka organizuar sot debatin e parë për buxhetin e vitit 2019, me përfaqësues të Partive Politike të Kuvendit Komunal. Takimin e hapi Kryesuesi i Kuvendit Komunal Kemajl Murseli. Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, tha ky draft i Kornizës Afatmesme Buxhetore, është dokument fillestarë, dhe shuma e buxhetit komunal mbetet e pandryshuar, ndërsa orientimi dhe ndarja buxhetore nëpër projekte, mund të ndryshoj varësisht nga arsyeshmëria e kërkesave të grupeve parlamentare, e më pas edhe e qytetarëve. Kryetari shtoi se pjesa e buxhetit tek investimet kapitale është hartuar në bashkëpunim edhe me administratorët e lagjeve dhe fshatrave të Komunës së Kaçanikut, të cilët kanë paraqitur nevojat dhe prioritetet e komuniteteve që ata përfaqësojnë.
Prezantimin e draft Kornizës Afatmesme Buxhetore, e bëri drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Bahri Selimi, i cili tha se buxheti për vitin 2019 është 8 milion 381 mijë 643 euro, ndërsa për investime kapitale janë ndarë 1 milion e 900 mijë euro.
Përfaqësuesit e Partive Politike diskutuan dhe parashtruan kërkesat e tyre dhe prioritetet që ata konsideruan se duhet investuar me theks të veçantë në infrastrukturë rrugore, arsim e kulturë, ndërsa të gjithë ishin të pajtimit që investimi në rrjetin e ujësjellësit duhet të jetë prioritet i investimeve.