Republika e Kosoves

Kaçanik

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale përmbyll vitin 2018 me shumë projekte dhe aktivitete shëndetësore

2018/12/28 - 11:09

“Pacienti në qendër të vëmendjes” është motoja me të cilën vazhduan investimet në shëndetësi edhe në vitin 2018, njëkohësisht duke u përmbushur prioritetet e Kryetarit Besim Ilazi.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Diana Reka, bëri të ditur se edhe këtë vit investimet janë realizuar në rregullim të infrastrukturës shëndetësore, por pa lënë anash edhe efekshmërinë e shërbimeve shëndetësore. Drejtoresha Reka tha se edhe këtë vit për shkak të mungesës së barnave esenciale shpesh herë kjo drejtori është angazhuar në blerjen e barnave të nevojshme brenda suazave legjitime.
Projekti “Ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kaçanik të Vjetër” është projekt që është realizuar në kuadër të rregullimit të infrastrukturës shëndetësore, është financuar në tërësi nga buxheti komunal, ndërsa ka kushtuar 81 mijë 453 euro, kurse mobilimi ka kushtuar afër 7 mijë euro.
Qendra kryesore e Mjekësisë Familjare në Kaçanik (QKMF) është pajisur me autoambulancë të re, financuar nga buxheti komunal. Projekti i autoambulancës ( viti 2018, kilometrazha zero) ka kushtuar 40 mijë e 710 euro, investim i tërësishëm nga buxheti komunal.
Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka vazhduar aktivitetin e saj edhe me shumë projekte dhe punë të tjera gjatë vitit 2018. Në Kotlinë, Begracë, Biçec,Stagovë dhe Glloboçicë është bërë renovimi i objekteve të Ambulantave të Mjekësisë Familjare, me inventar të ri është furnizuar QKMF-ja në Kaçanik dhe disa AMF si dhe është bërë blerja e pajisjeve mjekësore për nevojat e QKMF-së.
Përmes projektit “Fillimi i projektit për vizita shtëpiake për nëna dhe fëmijë nga mosha 0-3 vjeç” QKMF-ja ka arritur suksese të konsiderueshme dhe është nderuar me mirënjohje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Unicefi .Deri tash janë realizuar 807 vizita shtëpiake prej periudhës korrik 2018 deri në muajin nëntor 2018. Ndërsa kujdes i veçantë i është kushtuar edhe vetëdijesimit të nxënësve për shkaqet dhe pasojat e sëmundjeve të ndryshme, ku janë realizuar ligjërata nëpër shkolla nga ana e ekipeve mjekësore.
. Poashtu në kuadër të vetëdijesimit të banorëve janë shënuar edhe ditë të veçanta si dita e diabetit, hipertesioni , kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës, ditës së tokës etj. Në QKMF poashtu është edhe klasa për nëna dhe fëmijë. Në kuadër të zhvillimit të vazhdueshëm profesional kanë vazhduar trajnimet për mjekët dhe infermierët për tema të ndryshme shëndetësore. Ndërsa për mirëmbajtjen e pajisjeve teknike është kontraktuar një kompani. Në QKMF kanë arritur edhe donacione për nevojat e pacientëve si aparate dëgjimi, insulina dhe karroca për personat e hendikepuar. Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të vazhdoj aktivitetet dhe projektet e saja edhe në vitin 2019, gjithmonë në të mirë të qytetarëve.